Sport

Ceballos, i pasigurt për të ardhmen me Arsenalin

I huazuari i Real Madridit në Arsenal, Dani Ceballos, thotë se ai është i pasigurt për të ardhmen e tij, mirëpo thotë se dëshiron të jetë i lumtur në ekipin e tij të ardhmen, kudo që të jetë ai klub.

Mesfushori spanjoll u transferua në formë huazimi për një sezon në Emirates nga Real Madridi gjatë verës së kaluar, mirëpo koha e tij në Angli është dëmtuar nga lëndimet e shumta, transmeton Gazeta Express.

Fillimisht kishte spekulime se marrëveshja e Ceballos me Arsenalin mund të shkëputet para kohe në janar, pasi që mediumet spanjolle raportonin se Valencia dëshironte ta kthente atë në Spanjë, duke ia vazhduar atje huazimin.

Megjithatë, tani ai është kthyer nga lëndimet dhe e ka zënë një vend në ekipin e parë të Arsenalit së fundi, nën trajnerin e ri Mikel Arteta. Marrëveshja e tij përfundon më 30 qershor dhe spanjolli dëshiron ta përfundojë sezonin me Topçinjtë, por s’është i sigurt për më tej.

“Mua më përfundon kontrata më 30 qershor, por unë do të duhej të vazhdoj të luaj me Arsenalin deri në fund të sezonit kur të kthehet futbolli. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me lojtarët me kontrata si unë”, ka thënë Ceballos.

“Do të ishte e papërgjegjshme nga unë të flas për të ardhmen time. Gjëja më e rëndësishme është që unë të jem i rëndësishëm për ekipin tim të ri. Unë erdha në Arsenal për të qenë i tillë, por në muajt e fundit krejt kjo është zhdukur shkaku i koronavirusit”.

23-vjeçari i ka bërë 14 paraqitje në Premierligë për Arsenalin deri më tani dhe ka kontribuar me dy asiste. Megjithatë, ai ende s’ka arritur ta shënojë asnjë gol. /Gazeta Express/