Aktuale

Çelet në Sarajevë Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në kuadër të vizitës së ministrit të punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati në Bosnje-Hercegovinë, u inaugurua hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Sarajevë.

Sipas një komunikate të MPJ-së, hapja e kësaj konsullate do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në shumë fusha, si dhe do të jetë një qendër e rëndësishme në funksion të forcimit të identitetit kombëtar për komunitetin shqiptar që jeton në Bosnje-Hercegovinë.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, ministri Bushati falënderoi autoritetet boshnjake për bashkëpunimin në këtë drejtim, si dhe u shpreh se sot çelet në një lagje historike të Sarajevës, Shtëpia e Shqiptarëve, e cila do të shërbejë në forcimin e lidhjeve të vjetra mes dy vendeve tona, por do të jetë dhe një derë për komunitetin shqiptar që jeton dhe punon këtu.

Ai shtoi se kjo konsullatë do të shërbejë si një mundësi kontakti për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare. /KosovaPress/

the authorSamir Dalipi