Aktuale

Cilat janë procedurat për seancën e 3 gushtit?

Ngjarja kryesore e 3 gushtit, ditës kur presidenti caktoi seancën konstituive të Kuvendit, do të zhvillohet në sallën e seancave plenare.
Klan Kosova nuk arriti të mësojë nga zyrtarët e Parlamentit cilat janë procedurat që do të ndiqen dhe punët që do të bëhen për të bërë gati tubimin e të enjtes së parë të gushtit.

Krejt çfarë tha sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ishte se mediat për gjithçka rreth kësaj ngjarje me rëndësi, do të njoftohen përmes faqes së këtij institucioni.

Por, janë monitoruesit e punës së Kuvendit ata që i shpjegojnë procedurat.

“Duhet që kryetari i Kuvendit prej legjislaturës së kaluar z.Veseli t’i ftoj në takim kryetarët e grupeve parlamentare, subjekteve politike të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe kanë fituar ulëse në Kuvend që ta zhvillojnë një takim i cili duhet të mbahet diku rreth 5 ditë para datës së mbajtjes së seancës konssituive’.

Kryesia duhet të bëjë edhe një punë tjetër.

“Kanë për obligim të shpërndajnë ulëset dhe të përcaktojnë se ku do të ulen grupet parlamentare dhe kjo bëhet në bazë të numrit të votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit”.

Në rend të ditës së pari duhet të jetë verifikimi i mandatit të deputetëve që do të bëhet përmes një komisioni të përkohshëm.

Më pas nën udhëheqjen e parlamentarit më të vjetër të asistuar nga më i riu në moshë do të bëhet i betimi i të zgjedhurve.

Më pas vjen votimi për kryetar të Kuvendit që zgjidhet me shumicë të thjeshtë të votave.

Por çka do të ndodh nëse kandidati për kryetar nuk merr 61 vota në votimin e parë?

“Duhet që në seancën tjetër, të radhës të propozohet një kandidat sërish nga koalicioni PAN si koalicioni që ka dalë i pari në zgjedhje dhe nuk ka ndonjë kufizim sa mund të jetë personi i njëjtë, 2 herë radhazi të propozohet si kandidat për kryetar të Kuvendit’.

Ndërkohë Kuvendi llogaritet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë që duhet të përbëhet nga pesë nënkryetarë, tre nga ta janë shqiptarë, një serb dhe i pesti është përfaqësues i pakicave tjera.

Pas kësaj i hapet rruga seancës tjetër për votimin e Qeverisë dhe Kryeministrit. Kjo në rast se mandatari ka siguruar të paktën 61 nënshkrime të deputetëve.

Kaq vota duhet për të fituar postin.

the authorE B