Aktuale

Çka ndodh nëse Kurti nuk e formon Qeverinë për 15 ditë? Ja çka thotë Kushtetuesja

Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një shteti. Por, përveç kësaj pike, Kushtetuta ka qenë pjesa më e mjegullt dhe drithëruese që ka përcaktuar në mënyrë vendimtare rrjedhën e zhvillimeve politike. Kësisoj, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë pritur me shumë dramë në vend.

Ishte vera e vitit të largët 2014. Më 8 qershor ishin mbajtur zgjedhjet e përgjithshme ndërsa më 10 qershor ishte lidhur koalicioni që përjashtonte partinë e parë, PDK-në, mes katër partive tjera parlamentare. U quajt VLAN.

Por, që ky koalicion të formalizohej dhe të formohej qeveria e re, Haradinaj edhe ajo shkaku i kryeministrit me atë mbiemër, duhej që Gjykata Kushtetuese të sqaronte situatën.

Dhe, Kushtetuesja partinë/koalicionin që dilte i pari në zgjedhje e bënte praktikisht fitues të zgjedhjeve duke i dhënë mundësinë që të kishte në mënyrë automatike të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, përcjell Periskopi. Në atë rast PDK-së. Në këtë rast, Lëvizjes Vetëvendosje.

Natyrisht, duke qenë se Vetëvendosje do të ketë pozitën e të parit të qeverisë, do të detyrohet që ta propozojë një kandidat të LDK-së për kryetar të Kuvendit.

Por, pyetja që e bëjnë plot lexues të Periskopit është megjithatë e një natyre tjetër: çka ndodh nëse Albin Kurti nuk arrin ta formojë Qeverinë brenda 15 ditësh?

Nëse Vetëvendosje dhe LDK nuk bëjnë marrëveshje për koalicionin e ri qeveritar, atëherë del se z.Kurti nuk do t’i ketë votat e nevojshme [61] për ta formuar qeverinë.

Vetëvendosje i ka 29 deputetë me komunitetet pakicë del se numri i votave për Kurtin do të ishte 49. As me 6 deputetët e Nismës Socialdemokrate, kjo parti politike nuk do të arrinte të formonte qeverinë.

Dhe, nëse do të dështonte në përpjekjen e parë prej 15 ditësh, atëherë Kushtetuta sipas Aktgjykimit të vitit 2014 [Rastin Nr. KO103/14]  në lidhje me rastin kishte thënë se do të ofroheshin edhe 10 ditë tjera për një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Pra, Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar se Kurti mund ta ketë vetëm një mundësi për ta formuar qeverinë e tij, dhe këtë gjë mund ta bëj për 15 ditë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në këtë rast z.Hashim Thaçi, e ka në diskrecionin e tij se kujt t’i ofrojë mundësinë për të formuar qeverinë pas z.Kurti.


the authorGazetaKNN