Lifestyle

Çka të konsumoni për lëkurë të shëndetshme?

A e dinit se lëkura është organi më i madh i trupit tonë?

Ajo përbën rreth 16% të peshës totale trupore.

Lëkura ndihmon gjithashtu rregullimin e termostatit të trupit tonë, duke shtuar prodhimin e djersës kur kemi nxehtë apo prodhon mornica kur temperaturat bien, shkruan “Zëri”.

Shumë faktorë ndikojnë tek shëndeti i lëkurës, përfshirë trashëgiminë, moshën, klimën, ndotjen e mjedisit, dietën, nivelet e stresit dhe luhatjen hormonale.

Në vazhdim do të paraqesim disa këshilla të cilat do t’ju ndihmojnë që të keni një lëkurë të shëndetshme:

Pini ujë

Pini shumë ujë të pastër e të filtruar, të paktën 6-8 gota në ditë, madje në ditë të nxehta, sasia duhet të jetë më e madhe. Sasia e duhur e ujit është shumë e rëndësishme për të mbajtur lëkurën të hidratuar dhe për të eliminuar toksinat përmes veshkave dhe zorrës së trashë.

Fibrat

Dietës shtojini shumë fibra, të cilat ndikojnë pozitivisht aparatin tretës dhe nxisin eliminimin e mbeturinave nga trupi.

Antioksiduesit

Përkujdesuni që dieta juaj të përmbajë shumë antioksidantë (që ndihmojnë ngadalësimin e plakjes së qelizave), përcjell “Zëri”.

Pemët dhe perimet e freskëta janë burimet më të mira të antioksidantëve natyralë bimorë.

Kombinoni ushqimin

Duke ngrënë proteina dhe karbohidrate në vakte të veçanta ju parandaloni fermentimin e panevojshëm në zorrën e trashë dhe rrisni përthithjen e lëndëve ushqyese nga gjaku.

Yndyrat

Yndyrat e këqija nuk kanë efekte të mira te trupi juaj e nga ana tjetër, AEY-të (yndyrat e mira) janë të rëndësishme për një lëkurë të shëndetshme. Këto mund t’i siguroni nëpërmjet drithërave të pasitura, farave, kokrrave të sojës, perimeve me gjethe të gjelbra, vajrave si ai i lirit, kungullit, lulediellit, susamit dhe i peshkut të detit.

Minipastrim

Kur të zgjoheni, niseni ditën me një minispastrim të vogël. Kjo do të thotë që duhet të pini një gotë me ujë të ngrohtë. Më pas pini një filxhan me çaj hithrash ose ujë të nxehtë me disa pika limoni të freskët.

Jo kafeinë

Shmangni sasitë e mëdha të kafeinës dhe të alkoolit të cilat e largojnë njomështinë nga trupi juaj.

Zvogëloni sasinë e kripës

Sodiumi me tepri në sistem, bën që lëkura të enjtet dhe fryhet. Provoni të hani fara selinoje, barishte deti, salcë soje pa kripë ose shumë zëvendësues të tjerë pa kripë. Gjithashtu shmangni sa më shumë të jetë e mundur ushqimet pikante.

Zvogëloni ushqimet që ju bllokojnë

Më të këqijat janë mishi i kuq, vajrat e hidrogjenizuara, bulmeti dhe ushqimet e skuqura.

Lyejeni fytyrën me mjaltë

Tri herë në javë lyejeni fytyrën ose trupin me mjaltë. Lëreni mjaltin në lëkurë për rreth 30 minuta. Mjaltin shpëlajeni me ujë të ngrohtë. Do të mrekulloheni nga rezultatet fantastike të këtij marifeti të thjeshtë. Lëkurën do ta keni të re, të lëmuar dhe të butë. /ZËRI/