Rajon & Botë

COVID-19 në Itali, 636 viktima në 24 orët e fundit

Pandemia Covid 19 ka nisur fazën e ngadalësimit të fuqisë infektuese në Itali.

Dita e sotme ka shënuar një tkurrje të numrit në rritje gjatë 24 orëve, të pacientëve të infektuar, por numri i viktimave nuk ka ruajtur trendin e një dite më parë.

Italia regjistron sot 16 523 viktima. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 636 viktima më shumë.

Numri i pacientëve të infektuar prej nisjes së pandemisë e deri më sot ka arritur në 132,547. Në 24 orë janë shënuar 3599 raste pozitive më shumë.

Vazhdon në rritje numri i pacientëve të shëruar që sot janë 1,022 më shumë se një ditë më parë e numri i përgjithshëm i tyre është 22,837.

Sot gjithashtu vazhdon trendi në ulje i pacientëve të kuruar në terapi intensive nga 3,977 që ishin një ditë më parë në 3,898, pra 79 pacientë më pak të shtruar në këto reparte.

Në rajonin e Lombardi, më i prekuri nga pandemia, sot regjistrohen 297 viktima më shumë se një ditë më parë e numri i tyre 9,202. Ndërsa pacientët e infektuar janë në 51 534.