Rajon & Botë

Covidi kaplon disa shtete: Pas Gjermanisë, edhe Austria me raste rekorde

Gazeta austriake, “Kronen Zeitung”, raportoi se Austria ka shënuar shifër rekorde të rasteve ditore me Covid-19 me 18.427 infeksione për 24 orë, në të njëjtën ditë kur rekord i ri u regjistrua edhe në Gjermani.

Ekonomia më e madhe evropiane raportoi 80.430 raste të reja me Covid-19 t mërkurën, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.

Rekordi i mëparshëm i rasteve ditore ishte shënuar më 26 nëntor, kur ishin regjistruar mbi 76.000 të infektuar për 24 orë, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Shkalla mesatare e infeksioneve për shtatë ditë ka shënuar rritje vazhdimisht që nga fillimi i vitit. Të mërkurën shkoi në 407.5 raste për 100.000 banorë, nga 387.9 për 100.000 banorë një ditë më parë.

Kjo shkallë zakonisht i përcakton edhe politikat për luftimin e pandemisë, prandaj ka gjasë që qeveria ta shqyrtojë vendosjen e masave të reja në ditët e ardhshme.