Aktuale

Çregjistrimi i automjetit obligim që po sjellë pakënaqësi

Ligji i ri për automjete i cili ka hyrë në fuqi në fund të muajit qershor të këtij viti ka sjellë shumë ndryshime në regjistrimin e automjeteve, kushte mbi pronësinë e automjeteve, kushte rreth importit të automjeteve të përdoruar e deri tek ndërrimi i targave.

Derisa qytetarët ankohen për humbjen e regjistrimit të automjeteve në momentin e blerjes, edhe përkundër faktit që tek blerësi automjeti ka me muaj të tërë, sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, gjithçka është në rregull me ligjin.

Rrahim Pacolli nga Byroja Kosovare e Sigurimit ka thënë se në bazë të statistikave në Kosovë, aktualisht qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre është 18 vjet.

“Me ligjin e ri për automjete me rastin e regjistrimit të automjetit, pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”. Përdoruesi i mjetit ose bartësi i së drejtës së përdorimit të mjetit mund të jetë vetëm personi i cili posedon patentë shoferin valid për kategorinë e mjetit që përdoret.”, tha Pacolli përmes përgjigjeve elektronike.

Sipas tij, me hyrjen e këtij ligji në fuqi ka ndryshuar edhe çështja e regjistrimit të veturës më rastin e ndërrimit të pronësisë.

Ai shtoi se pasi që të ndërrohet pronësia e automjetit, shitësi i automjetit obligohet që ta çregjistrojë automjetin, por edhe pasi që pronari i automjetit dëshiron që ta çregjistrojë automjetin e ri, me këtë ligj i jepet e drejta që të ruajë targat për një vit, për automjetin e njëjtë.Ndërsa të atakuar me këtë ligj janë tregtarët e automjeteve.

Tregtarët në tregun e automjeteve në Fushë Kosovë kanë shpreh pakënaqësitë e tyre, duke thënë se me ligjin e ri kanë shumë më shumëvështirësi për të shitur një veturë.

Tregtari Istref Mazreku, i cili merret me shitjen e veturave që 25 vite thotë se ligji, i cili u ka ardhur u ka sjellë edhe probleme të shumta, kjo për shkak se qytetarët refuzojnë të blejnë vetura.

“Tash një ligj që na ka ardhur, kurrë nuk ka qenë, nuk po e kuptoj unë kerri ka regjistrim një vit, ta shes ty në emër tanin e bëjmë kontratën e shitblerjes kur ta jap ty kerri nuk ka regjistrim, kjo nuk kuptohet se di çka është kjo farë. Plus kontratën e bëjmë unë e ti të kerrit, kerri kur të shkon në qendër duhet me kanë dy pronarët, se kuptoj hiç këtë farë ligji. Si kemi adresua se nuk po kemi ku, kemi bërë pak zhurmë aty tek qendra e regjistrimit po ata po thonë që Ministria e ka pru ligjin. Problem shumë i madh”, tha ai.

Sipas kësaj, ai thotë se askush nuk dëshiron të blejë vetura pasi që deri në 400 euro kushton regjistrimi për herë të dytë.

Ndërsa, Faton Gashi, po ashtu tregtar, thotë se problem i tyre tash e një kohë është bërë ligji për regjistrim të veturave, ku pas shitjes nuk i njihet regjistrimi. Sipas tij, kjo është plaçkitje që iu bëhet qytetarëve.

“Kjo është plaçkitje, vjedhje, kush e ka qitë këtë ligj nuk pe di veç mu po ma merr mendja që kjo është plaçkitje, direkt plaçkitje është”, tha ai.

Në ndërkohë, zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, (MPB) Valdet Hoxha, ka thënë se ligji për automjete është i sponsorizuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, por që MPB-ja implementohet si i tillë me të gjitha dispozitat ligjore.

“Në këtë kontekst ne tashmë jemi të obliguar me i harmonizua edhe aktet nënligjore, rregulloret e mbetshme në kuptim të implementimit të këtij ligji ….Rreth regjistrimit të automjeteve, unë besoj që kryesisht fryma e punës së grupit punues ka qenë e fokusuar në ofrimin e sigurisë në radhë të parë në komunikacion për qytetarët e vendit, por edhe në sigurinë e përgjithshme. Në kontekst të ndërtimit të një sistemi të kontrollit të mirëfilltë institucional ndaj të gjithëve. Qoftë pronarëve të automjeteve, qoftë kontrollit teknik të automjeteve të cilat lëvizin në rrugë dhe fatkeqësisht ka aksidente me fatalitet. Në këtë frymë është ndërtuar ligji por natyrisht nuk jemi idealist dhe nuk po besoj që mund të jetë një ligj ideal që i plotëson ndoshta gjitha në mënyrën më të mirë të mundshme nevojat e qytetarëve. Do të ketë një periudhë prove. Po besoj që gjërat që nuk shkojnë mirë, sikurse shumica e ligjeve të tjera që i nënshtruar rishqyrtimit edhe po besoj që në qoftë se haset në diçka që nuk shkon ose është në kundërshtim me interesin qytetarë po besoj mund të ketë amandamanetim në të ardhëm qoftë të ardhmen apo pakë më të largët”, tha Hoxha.

Hoxha tha se ky ligj i ka kaluar gjitha filtrat, ku është votuar edhe nga ana e përfaqësuesve të popullit, por ai nuk e përjashtoi si mundësi që ligji si i tillë edhe të ndryshohet në nene të caktuara. Ai tha se në të ardhmen do të marrin hapa të nevojshëm për ta sanuar këtë gjendje.

Bexhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KLMDNJ), thotë se ligji është shumë i mirë dhe vendi ka pasur nevojë për një ligj të tillë.

“Realisht Kosova ka pasur nevojë për një ligj i cili do të vendoste rregull në trafik dhe i cili pastaj do të ndikonte që të ketë më pak aksidente, më pak problem. Pas luftës ka qenë një situatë kaotike, kur kush ka bërëçka ka dashur. Nuk ka logjikë që ju t’ia shitni automjetin dikujt dhe pastaj t’ia bartni atij sigurimin, ndërkohë që ai mund ta ketë një dëm t’i bëjë dikujt ose vetës dhe pastaj t’ia adresoj atë përgjegjësi pronarit të mëparshëm. Me shitjen e automjetet, sigurimi automatikisht duhet tëripërsëritur. Bëhet pronari i ri, sepse asnjë automjet nuk shitet pa një kontratë. Qoftë tek noteri apo diku. Në qoftë se ndërrohet pronari bëhet kontrata e automjetit, atëherë natyrisht pronari i ri i merr të gjitha detyrimet. Nuk mundet pronari i ri ta blej makinën prej dikujt dhe me makinë ta blejë edhe përgjegjësin të cilën pastaj mund ta adresoj pronarit të mëparshëm”, tha Shala.

Ai ka thënë se nuk ka ndonjë shkelje, përveç se kushtëzimi për regjistrim të veturës për pagesën e gjobave. Ai tha se nuk e kanë në planë të kërkojnë ndryshim të ligjit.

“Unë më shumë shoh shkelje kur ta zëmë ta kushtëzon regjistrimin e veturës me pagimin e gjobave të cilat mund të jenë në Gjykatë dhe të cilat nuk e kanë marrë një formë të prerë dhe ju nuk iu regjistrojnë veturën, kurse nesër ju mund të dilni i pafajshëm. .. Nuk e kemi në planë se çfarë baze ligjore ka të kundërshtohet. Ju nuk mund ta blini një pronë apo ta shitni një pronë ta leni një kontratë me dy kuptime sepse problemi jonë ”, tha Shala.

Ndërsa, Rrahim Pacolli nga Byroja Kosovare e Sigurimit, ndryshimi i ligjit për automjete i ka prekur edhe poseduesit e motoçikletave. Motoçikletat me kapacitet mbi 125 cm kubik, nuk mund të regjistrohen nëse pronari nuk posedon patentë shoferë të kategorisë “A”.

Ai po ashtu ka treguar se ligji i ri parasheh ndëshkime për personat që i ndryshojnë kilometrat e automjetit deri në 10 mijë euro gjobë. Subjektet e autorizuara për kontrollim teknik, me rastin e kontrollimit teknik të mjeteve janë të obliguara të bëjnë evidentimin e kilometrave të kaluara të mjetit – leximin e pedometrit.

“Përveç ndryshimeve në ligjin e automjeteve, të cilat kanë kryesisht të bëjnë me regjistrim të veturave, tashmë ndryshime do të ketë edhe tek importi i veturave të vjetra. Prej vitit 2018 parashifet kufizimi në importin e veturave në vjetërsinë e tyre prej 10 vjetësh. Po ashtu, veturat duhet të plotësojnë standardin e njohur si ‘Euro katër’.Mjetet e regjistruara në vendin e huaj dhe më pronësi të shtetasve të huaj, mund të marrin pjesë në trafik në Kosovë, për një periudhë kohore jo më të gjatë se 3 muaj që nga data e hyrjes.Shtetasit kosovarë nuk mund t’i drejtojnë këto mjete pa prani të pronarit dhe as të autorizohet që i njëjti të qarkullojë me atë mjet në Kosovë.”, tha Pacolli.

Sipas tij, dënimet janë paraparë edhe për qytetarët që nuk kujdesen për targat e automjeteve dhe ndërrimin e tyre. Pronari i mjetit duhet t’i ndërrojë targat e regjistrimit me të reja nëse njëra nga targat i ka humbur, dëmtuar, shkatërruar, amortizuar deri në atë masë që bëhet e papërdorshme. /KP