Aktuale

Daka: Skënderaj nuk shkon në zgjedhje, Lushtaku ka mundësi të ankohet në Supreme

Vendimi i Gjykatës së Apelit për Sami Lushtakun, në rastin ‘Drenica 1’, nuk nënkupton se kryetari i Skenderajt humb mandatin e tij si kryetar komune. Rrjedhimisht, as pas këtij vendimi komuna më e madhe në Drenicë nuk shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, siç kishte ndodhur me Drenasin, para disa javësh

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka sqaruar për Gazetën Express se vendimi i Gjykatës së Apelit për kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk nënkupton shkuarjen në zgjedhje të kësaj komune.

Kjo sipas Dakës, pasi vendimi i Apelit, Lushtakun e ka dënuar për një vepër penale që ai ishte liruar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës në verdiktin e saj të Majit 2015. Ajo tregon se kjo i jep mundësi kryetarit të Skenderajt ushtrimin e ankesës në Gjykatën Supreme, para se vendimi të jetë i plotfuqishëm.

“Jo nuk ka zgjedhje në Skenderaj. Sepse Sami Lushtaku me aktgjykimin e shkallës së parë, ka qenë i dënuar për vrasje ndërsa ka qenë i liruar për vepra tjera. Ndërsa, tash me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë – Apelit – është liruar për veprën penale vrasje, ndërkaq është denu për atë vepër për të cilën ishte dënuar më parë”, tha Daka në një prononcim për Gaztën Express, të martën, pak orë pas zyrtarizmit të vendimi të Apelit në rastin ‘Drenica 1’.

“D.m.th., gjykata e shkallës së dytë ka vendosur si shkallë e parë. Ndërkaq ka të drejtë ankese në gjykatën supreme. Ky është rast i paraparë me ligj, kur mundet me ba ankesë kundër aktgjykimi të Gjykatës së Apelit”, sqaroi tutje ajo rrethanat.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në vendimin e saj të konfirmuar nga avokatët e rastit ‘Drenica 1’, ka liruar Sami Lushtakun nga dënimi prej 12 vitesh për vrasje, të shqiptuar ndaj tij nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, ndërsa të njëjtin e ka dënuar me 7 vite burgim për një tjetër vepër penale që ka të bëjë me krime lufte – e që lidhet me përgjithësinë e tij komanduese në UCK.

“Gjykata e Apelit, duke e gjetur të bazuar ankesën e prokurorisë, z. Sami Lushtakun e dënon me shtatë (7) vite burgim për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese, se kinse ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë të mbajtur në qendrën e paraburgimit në Likoc”, ka konfirmuar dënimin, avokati mbrojtës i Lushtakut, Arianit Koci.

Menjëherë pasi u bë i ditur ky vendim, mediat kishin raportuar për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme në Skenderaj. Diçka e tillë ka ndodhur para pak javëve në Drenas. Ish-kryetari i kësaj komune kishte dorëzuar vetë dorëheqjen e tij nga pozita pasi apeli i kishte vërtetuar dënimin në rastin ‘Drenica 1’.

Megjithatë, në PDK mundësia e shkuarjes në zgjedhje të Skenderajt nuk është pranuar të komentohet. Zyrtarët e kësaj partie, të kontaktuar nga Gazeta Express nuk kanë folur as nëse kjo parti do t’i kërkojë kryetarit që vjen nga radhët e tyre dorëheqjen pas vendimit që e lë Lushtakun për 7 vite prapa grilave. /GazetaExpress/.