Aktuale

“Demarkacioni” mund të jetë beteja politike e fundit e Thaçit

Pothuajse në të gjitha betejat politike të Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë një nga aktorët kryesore duke u përballur deri në momentet e fundit me kundërshtarët politikë të tij. Beteja politike më e fundit u zhvillua për postin e presidentit në të cilën Hashim Thaçi arriti të zgjedhet në raundin e tretë President i katërt i Republikës së Kosovës me 71 vota. shkruan Gazeta Express.

Para zgjedhjes në këtë post beteja e vetme e pambyllur e Thaçit ishte çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Prandaj, edhe Hashim Thaçi një ndër deklaratat e para në pozitën e presidentit ishte thirrja për miratimin e çështjes së demarkacionit. Edhe më tej Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdimisht ka kërkuar nga kuvendi dhe spektri politik që të përmbyllin sa më shpejt çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Por gjatë këtyre muajëve vërehet një tërheqje e Thaçit nga skena e politikës dhe mos reagimi i tij ndaj aksionit së Vetëvendosjes është një tregues që Hashim Thaçi po vendos të mos ndërhyjë në aksionet politike të vendit. shkruan Gazeta Express.

Para disa ditësh Lëvizja” Vetëvendosje” u është rikthyer aksioneve simbolike kundër qeverise. Kësaj here është goditur me bojë automjeti në të cilin ndodhej Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. Vetëvendosja pas aksionit tha se ky veprim vjen pasi ministri ka urdhëruar ndalimin e hyrjes në Kosovë të disa aktivistëve të saj nga Shqipëria dhe ka kërkuar largimin e disa të tjerëve nga Kosova, urdhra këto që konsiderohen me prapavijë politike, raporton Express.

Pas gjuajtjes me ngjyrë të veturës zyrtare të ministrit Hyseni, Qeveria e Kosovës ka reguar duke e dënuar ashpër këtë akt të kryer nga Lëvizja Vetëvendosje. “Ky akt kriminal, i kryer nga aktivistë të Vetëvendosjes, është sulm kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj” thuhej në komunikatën për media të Qeverisë së Kosovës.

Por ndryshe nga ish-kolegija Atifete Jahjaga që dënonte këto sulme të ngjashme , këtë herë Facebook’u i Hashim Thaçit heshti dhe nuk erdhi asnjë reagim nga zyra e tij. Presidenti vendosi të mos ndërhyjë ndërkohë që pret një bashkim të pozitës dhe opozitës në debatin e 3 gushtit që do të zhvillohet për demarkacionin.

Por mbetet interesant fakti që Partia Demokratike (PD) ende nuk e ka publikuar qëndrimin zyrtar për këtë marrëveshje që një vit më parë ishte firmosur nga Hashim Thaçi. Gjithashtu jo pak deputetë të PDK-së kanë folur me rezerva përkitazi me demarkacionin. E këtë javë disa nga kjo parti kanë dalë me qëndrimin se zgjidhja e kontestit duhet kërkuar në arbitrazhin ndërkombëtar.

Këto zhvillime dalëngadalë po e tërheqin edhe më shumë jashtë lojës politike liderin karizmatik të Kosovës i cili këtë herë mund edhe ta pranojë tërheqjen përfundimtare nga skena politike.