Aktuale

Demarkacioni në duart e dy deputetëve

Seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e Demarakcionit do të mbahet sot nga ora 10:00.

Debati pritet të hapet, kurse kur do të hidhet në votim kjo marrëveshje ende asgjë nuk është e sigurt. Kjo pasi koalicionit i nevojiten edhe dy deputetë ta votojnë Demarkacionin.

Saga e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi duket se ka mbetur në dorën e dy deputetëve. Kjo pasi deri më tani janë 78 vota, e për ratifikimin e marrëveshjes duhen 80.

Se i kanë 78 vota e tha edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë, raporton lajmi.net

Ai u shpreh optimist se deri në momentin e votimit do t’i sigurojnë votat e nevojshme, nga deputetët që ai i cilësoi më racional.

“Ju e dini që nevojiten 80 vota. I kemi 79 dhe besoj që deri në momentin e votimit do ta kemi votat e mafuteshme për ratifikim. Pres prej disa deputetëve që do të jenë racional për t’i vendosur interesat e qytetarëve para atyre personale politike”, tha Krasniqi para gazetarëve.

I bindur në ratifikimin e kësaj marrëveshje u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryeparlamentari bëri thirrje që deputetët t’i hapin rrugë liberalizimit të vizave, dhe të mos e marrin barrën e patriotizmit.

“Demarkacioni duhet të përfundojë. Të votohet, duhet të ndodhë liberalizimi i vizave. Nuk duhet të bëjmë kalkulime, dhe pres reflektimin e deputetëve. Nesër u kan rendi, edhe kështu boll e kena vonu. Askush s’ka të drejtë ta merr barrën e patriotizmit se është e randë”, u shpreh Veseli.

E kush do të jenë dy deputetët që mund të jenë “shpëtimi” për këtë marrëveshje ende nuk dihet.

Ajo çka dihet është se Lëvizja Vetëvendosje të paktën publikisht është shprehur kundër.

Edhe pse zyrtarë të lartë në qeveri si Behgjet Pacolli, por edhe kryeparlamentari Veseli, ishin shprehur optimist se disa deputetë të VV-së do ta votojnë Demarkacionin.

Por, asnjëri nga të dorëhequrit e Vetëvendosjes deri më tani nuk është shprehur për media në lidhje me mënyrën si do të votojnë.

Kundër është deklaraur edhe Lista Serbe. Përkundër kësaj, zv/kryeministri Behgjet Pacolli kishte thënë të dielën për lajmi.net se deputetët serbë ka gjasa të mëdha ta votojnë Demarkacionin.

Edhe nga ta ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë temë.

Se a do të marrë fund kjo temë, dhe si do të përfundojë, mbetet të shihet gjatë ditës së nesërme.

Ndryshe, pikërisht nesër presidenti i Komisionit Evropian, Jena Claude Juncker dhe zyrtarë tjerë të lartë të BE-së do të qëndrojnë në Kosovë.

Thirrje për ratifikimin e Demarkacionit kanë bërë edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie. /Lajmi.net/