Opinione

Demokracia dhe Plaku i viteve ‘90

Lulzim Tafa

Edhe si nxënës i shkollës së mesme i drejtimit Juridik, e më vonë, edhe si student i Fakultetit Juridik kisha pasur fatin që më herët se moshatarët e mi (të paktën ata të profileve teknike apo matematiko- natyrore) të mësoja për demokracinë, dhe sidomos edhe për gjenezën dhe nocionin e saj.

Na kishin mësuar se fjala Demokraci rrjedh nga një fjalë e huaj (greke), që përkthyer në gjuhën tonë do të thoshte (të paktën atë kohë) sundim i popullit apo sundim i shumicës.

Informacionet që në atë kohë kishim për demokracinë mua dhe kolegët e mi na kishin zënë bukur të përgatitur për këtë term gati utopik për kohën – muri i Berlinit ra, filluan të fryjnë erërat demokratike edhe kah ne.

Ne kosovarët filluam betejën e dyfishtë; edhe për liri edhe për demokraci. Njerëzit në demonstrata brohorisnin pa ndërprerë De-mo-kra-ci, De-mo-kra-ci (është e kuptueshme që ndonjë të mos e ketë pasur edhe shumë të qartë ç’është demokracia). E thashë, ne të juridikut ishim më IN sa i përket kësaj çështjeje, edhe pse, dorën në zemër, ne demokracinë në shkollë e mësonim si një ide jo të mirë dhe e mësonim për krah autokracisë.

Nuk e kam harruar asnjëherë dhe besoj që nuk mund ta harroj as në të ardhmen pyetjen që më kishte bërë një i moshuar rreth të shtatëdhjetave në atë kohë.

“A më tregon çka është kjo farë Demokracia?” Dhe, unë me entuziazmin e kohës, fillova t’i përgjigjem madje më shumë përkushtim, gati ashtu siç do të isha përgjigjur në provimin e ,, Filleve…” përpara profesorit, në provimin me gojë në fakultet, pikë për pikë, duke ia cituar atij atë që na thoshte libri.

“Leje më tha se nuk je kah e di hiç?” dhe e vazhdoi : “Demokraci d.m.th. Republikë, por meqë Republikë është fjalë e ndaluar atëherë po thonë Demokraci”. Edhe pse e pashë që ai ishte thellë i bindur se Demokracia ishte sinonim i Republikës dhe se plaku e kishte pa të keq. Kjo që ai më tha se “nuk je kah e di çka është Demokracia”, më irritoi shumë, gati sa edhe nuk më skandalizoi.

Plaku m’u duk shumë shpërfillës, sepse ai nuk i vlerësoi informatat e mia për historinë e demokracisë, që në Greqinë e lashtë, Athinën, faktin që i përmenda shekullin V p.e.s dhe zanfillën e demokracisë, mandej as përmendjen e emrave si Aristoteli, Sokrati apo Platoni dhe demonstrimin e demokracisë ”live” – të ”eklizës” popullore, ku populli manifestonte demokracinë përmes një kuvendi. Ai nuk përfilli as referencat e mia te disa filozofë ilimunistë të dy -tre shekujve më parë. Ai, tashmë e kishte ndarë mendjen se unë s’e dija çka është demokracia.

Në mendjen e tij ai ishte qartësuar krejtësisht se arsyeja e shpjegimeve të mia aq të komplikuara ishte vetëm rezultat i mosdijes sime për demokracinë, duke i qëndruar i palëkundur konstatimit të tij definitiv se unë s’kam haber rreth dmokracisë.

Konsideroja se kisha të drejtë madje edhe pretendoja se e dija saktësisht, se i dija edhe shtyllat e saj, dija t’i numëroja por edhe t’i zbërtheja dhe interpretoja, dija çfarë trajte e sundimit është, cilat ishin sidomos ,,mangësitë” dhe ,, hiletë e saj” e edhe çfarë mendonte një ish-kryeministër britanik me emrin Winston Churchill, edhe pse , të them të drejtën, mendimi i tij më frikësonte. Kuptohet se më së shumti dija për disavantazhin që ka ajo përballë sistemit tonë ,,brilant” socialist dhe diktaturës së proletariatit, ,,barazisë” së kombeve dhe kombësive tona. Ashtu na mësonin në shkolla e fakultete.

Por, sistemet totalitare në Evropën Lindore po jepnin shpirt, diktatorët po binin një nga një, po fillonte demokracia, pra ajo demokraci që përmendej qysh në Greqinë e lashtë.

Plaku nuk e pranoi dot shpjegimin tim për demokracinë edhe pse nuk kishte dy ditë që shtëpia e lirisë apo Freedom House siç i thoshin agjencitë e huaja të lajmeve në atë kohë, kishte publikuar për çudi një raport mjaft impresiv për gjendjen globale me demokracinë, pjesë të të cilit raport unë po ia citoja atij, apo thënë më mirë, po e lodhja me ato frazeologji të pakapshme për plakun dhe kohën.

Nga ajo kohë kaluan 22 vjet, bota ndryshoi shumë, edhe rajoni ynë ndryshoi, ndryshova edhe unë. Përjetova edhe demokracinë në vendin tonë, pashë shumë ngjarje e zhvillime, e pashë sundimin e shumicës,respektimin e të drejtave të pakicës,pluralizmin, sundimi e ligjit, zgjedhjet e lira, transparencën, llogaridhënien, kompromisin etj., etj . I pashë të gjitha.

Të gjitha i pashë, por humba iluzionin tim dhe pretendimin se e dija çka është Demokracia. Tani e pranoj se unë nuk e di ç’është ajo dhe u binda se konstatimin e plakut i viteve të 90-ta, ndonëse nuk ishte i drejtë fiksimi i tij për Demokracinë, se “unë nuk e di çka është Demokracia”, më nuk e kontestoj. Këtu ai kishte të drejtë, unë jo.

Plaku ka një dekadë që ka shkuar në amshim, demokracia ende është aktuale, por gjithnjë e më abstrakte, madje edhe më e ndërlikuar sesa ia kisha paraqitur plakut të viteve të 90-ta unë atë kohë, si student.

the authorSamir Dalipi