Rajon & Botë

Demokratët kërkojnë që Rusia të sanksionohet për ndërhyrje në zgjedhje

Udhëheqësit demokratë të Senatit amerikan i bënë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që të vendosë sanksione kundër Rusisë, pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane e njoftuan Kongresin se Rusia po përpiqet sërish të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Senatorët Chuck Schumer, Bob Menendez dhe Sherrod Brown i shkruan sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, dhe sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin, duke iu kërkuar që të sanksionojnë Qeverinë ruse dhe çdo individ të përfshirë në ndikimin e zgjedhjeve të nëntorit.

Letra e tyre vjen pak ditë pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë mbajtur një konferencë me dyer të mbyllura me ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë kësaj konference, ligjvënësve u është thënë se Rusia dhe vendet e tjera janë duke kërcënuar integritetin e zgjedhjeve në SHBA.

Po ashtu është thënë se Rusia po përpiqet ta ndihmojë presidentin Trump për rizgjedhje.

Kandidati demokrat, senatori Bernie Sanders, tha se i është thënë se Rusia po përpiqet t’i forcojë edhe shanset e tij.

Një i dërguar i presidentit rus, Vladimir Putin, i mohoi akuzat teksa foli në një intervistë për të përditshmen ruse, Kommersant.

“Ne e respektojmë në mënyrë rigoroze dhe të përpiktë parimin e mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të Shteteve të Bashkuara, i vendosur më 16 nëntor të vitit 1933, kur Rusia sovjetike dhe Shtetet e Bashkuara i kanë rivendosur marrëdhëniet e tyre diplomatike”, tha Andrei Krutskikh, i dërguari special i Putinit për bashkëpunimin ndërkombëtar në sigurinë e informacionit.

“Presidenti [rus] vazhdimisht ka theksuar se Rusia nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të SHBA-së, përfshirë proceset zgjedhore”, shtoi Krutskikh, transmeton REL.

Një zyrtar i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) tha, në anën tjetër, se Rusia dëshiron t’i shohë amerikanët “duke u copëtuar”.

David Porter foli në një konferencë për sigurinë zgjedhore në Uashington, ku e akuzoi Moskën për shpërndarjen e dezinformatave dhe ngritjen e dyshimeve në integritetin e zgjedhjeve në SHBA.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA edhe më 2016, për të forcuar fushatën e Trumpit dhe për të shkaktuar kaos brenda procesit zgjedhor të SHBA-së.

Trump ka mohuar se ekipi i tij ka punuar me figura ruse gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, ndërsa hetimet për këtë çështje vazhdimisht i ka cilësuar si “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.

Rusia po ashtu e ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA, katër vjet më parë.

the authorGazetaKNN