Aktuale

Dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë për përvetësim në detyrë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe me 200 euro gjobë, të akuzuarin për përvetësim në detyrë, Arben Nuredini.
Dënimi me burgim ndaj tij, nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër të re penale brenda periudhës një vjeçare.

Paraprakisht, i akuzuari Nuredini kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokuroren Habibe Statovci Salihi, sipas së cilës marrëveshje, i është shqiptuar edhe dënimi, derisa krejt këto procedura u kryen në shqyrtimin fillestar të këtij rasti.

Nuredini, deklaroi para gjykatës se marrëveshjen për pranimin e fajësisë e ka bërë pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Bajram Tmava, në mënyrë vullnetare, duke i ditur pasojat si dhe benefitet e pranimit të fajësisë, shkruan Betimipërdrejtësi.

Avokati Tmava, ka thënë se i mbrojturi i tij, është informuar për benefitet nga pranimi i fajësisë dhe marrëveshja me prokurorinë si dhe kushtet në të cilat është nënshkruar marrëveshja.

Kurse, prokurorja Habibe Statovci Salihi, gjatë fjalës së saj, tha se pala është njoftuar me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e kësaj marrëveshje dhe në konsultim me mbrojtësin e tij.

Statovci Salihi, i ka propozuar gjykatës që ta pranojë këtë marrëveshje pasi e njëjta është hartuar konform dispozitave ligjore.

Gjithashtu, gjykata është informuar se e dëmtuara KEDS është kompensuar në tërësi nga Nuredini.

Gjykatësi i vetëm i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, deklaroi se kjo marrëveshje pranohet pasi janë plotësuar kushtet ligjore, dhe Nuredini ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe e njëjta është bërë vullnetarisht dhe është mbështetur në faktet dhe prova materiale që gjenden në shkresat e lëndës.

Nuredini, akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se më 06 prill 2017, në cilësinë e personit zyrtar- arkëtar, në arkën e distriktit të KESCO-s në Lipjan, ka përvetësuar shumën prej 2,357,26 euro.

Sipas aktakuzës, kjo shumë i ishte besuar për shkak të detyrës së tij zyrtare, në atë mënyrë që paratë që i kanë paguar konsumatorët paraprakisht për faturat e shpenzimeve të energjisë elektrike, nuk i ka dorëzuar të gjitha sipas shumës së saldos prej 8,397,91 euro.

Mirëpo, ka dorëzuar shumën prej 5,960,00 euro duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobinë pasurore që i është besuar sipas detyrës zyrtare.