Aktuale

Deputetët me deklaratë do kërkojnë liberalizimin e vizave

Grupet parlamentare do të dalin me një deklaratë të përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit.

Ky qëndrim ka dalë sot pas një takimi që kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka pasur me anëtarët e Komisionit Parlamentar të Punëvë të Jashtme.

Kryetari Veseli, tha se pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate, do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha ato shtete se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë asaj në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë që sa më shpejt të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

“Ka të bëjë me një qëndrim politik i cili do të vjen nga të gjitha grupet parlamentare përmes nënshkrimit të një deklarate si kërkesë drejtuar gjitha vendeve të Bashkimit Evropian veçanërisht kolegëve tanë deputet euro parlamentare që të u jepet dritë jeshile edhe Kosovës , përkatësisht qytetarëve tanë që të lëvizin lirshëm. Për arsye se gjithë politika e Kosovës grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës janë të përbashkëta në qëndrimin e vet në orientimin drejtë BE-së….Qëndrimi ynë rreth demarkacionit, kolegët tanë prej opozitës të cilët nuk janë kundër demarkacionit por ata dëshirojnë ta shprehin qëndrimin e vet se kanë një shqetësim në formën e shënimit të kufirit të cilin e kemi pasur,” tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçica,tha se tashmë të gjithë janë të shqetësuar për mos liberalizimin e vizave.

“Ne si Komisioni e kemi një mandat bukur të gjerë dhe tani u fokusuam që të punojmë kryesisht në diplomacinë parlamentare në radhë pastaj edhe femrave të tjera të komunikimit me vendet e Bashkimit Evropian. Jemi në një proces kur ne duhet të dëshmojnë që kemi një unitet të brendshme dhe sa i përket çështjes së integrimeve dhe çështjes së integrimit të vendit jemi të përkushtuar të gjithë si pozita si opozita. Ne jemi të vonuar edhe si popull edhe kemi merri po të kishim qenë në hap sigurisht s edo të ishim të integruar ka kohë”, tha Reçica.

Përfaqësuesit e opozitës, Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Zafir Berisha nga Nisma, shprehën edhe njëherë qëndrimet e tyre lidhur me versionin aktual të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mirëpo theksuan përkushtimin për të qenë pjesë e deklaratës së përbashkët dhe e angazhimit në diplomacinë parlamentare, në funksion të lobimit për procese me interes për Kosovën.

“Ajo që u dakorduam në takim sot është ajo që është i vonuar ky takim dhe është vonuar diplomacia parlamentare e që mendoj që ajo që ne duhet të bëjmë duhet një lobi urgjent për çështjen e liberalizimin e vizave. …Që ne të dalim me një deklarata të përbashkët duke mos lëvizura nga qëndrimet tona por duke e garantuar Bashkimin Evropian që kjo mënyrë e shpetëzimit të kufirit duhet të bëhet në mënyrë paqësore , pa cenim të integritetit të atin shteti apo shtetit tonë , por me marrëveshje për një version tjetër. ..Ne nuk e përmendem fare ri procedimin e kësaj çështje , po ne u d akorduam që të lobojme në interes të shtetit dhe duke i mbajtur qëndrimet tona ne nuk lëvizim nga qëndrimet tona si opozitë”, tha Lekaj.

Në këtë takim munguan anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.