Aktuale

Deputetët e pozitës dhe opozitës akuza për njëri-tjetrin

Në seancën e jashtëzakonshme ku u debatua për vdekjen e Astrit Deharit deputetë të pozitës dhe opozitës kanë shkëmbyer akuza ndërmjet vete.

Si zakonisht deputetët e Vetëvendosjes kanë akuzuar deputetët nga PDK dhe LDK por kishte deputet edhe nga LDK-ja që akuzoi Kuvendin se është shndërruar në një vend i fjalëve të kota.

Deputetja nga LDK Melihate Tërmkolli tha se Kuvendi i Kosovës, është kthyer në një poçavër.

 

“Atë çfarë duhet të them është pak e rëndë, por realiteti shumë herë është rëndë i përballueshme. Them me keqardhje zotni kryetar, që Kuvendin e  keni shndërruar në një paçavër. Ndërsa këtë seancë, mënyra si e keni thirrë dhe e keni quajtur e jashtëzakonshme, është veç një pallaver. S’ka pse me kanë e jashtëzakonshme, kur e thërret shumica. Ka shumë përpjekje për përfitime politike. Leni përfitimet politike, që po vijnë dhe po provohen me u ba nga të gjitha anët fatkeqësisht. Po më vjen shumë rend me iu ni këtu me këto patetizma të pakuptimtë. Dilni kani sa të doni jashtë. Kuvendi nuk është vend për patetizma. Kuvendi është vend për me  zgjidh probleme. Keqardhja sot këtu është veq një hipokrizi, e secilit që po e thotë. Ndërhyrja në sistem të drejtësisë është bërë moti….. Ka vdek një i ri në burg. Në burg është arrestuar është mbajtur në arrest me muaj, pa e dit për çka. Mund të jetë krejt rastësi që ka qenë anëtar i VV-së. Unë po flas për një qytetar të Kosovës. Prandaj duhet e vërteta…Këtij vendi i duhet dhe një pushtet dhe një opozitë me fytyrë njeriu, njerëzor”, tha Tërmkolli.

Deputeti i pavarur Ilir Deda tha se tragjedia e familjes Dehari nuk është trajtuar në mënyrë të duhur, pasi që është hera e parë që një  aktivist politik vdes në duar të shtetit dhe se ka qenë një tendencë e manipulimit të opinionit publik.

 

“Me kulturën politike që është krijuar në Kosovë, institucioneve të shtetit nuk u besohet. Nuk po them Dhurata që është problem i joti që nuk u besohet, por kjo është fakt. Kuvendit nuk i besohet, Qeverisë nuk i besohet jo drejtësisë jo se jo. E keni sjellë situatën që askush nuk i beson fjalës së institucioneve politike. Sepse qe 17 vjet jetojmë në kulturë të pandeshkueshmërisë. Kultura e pandëshkueshmërisë  në Kosovë duhet të përfundojë. Ne jemi këtu duke debatuar  për një tragjedi që një muaj e gjysmë dhe në opinion publik për pandëshkueshmërinë dhe kërkesa më normale, në një situatë jo normale involvim ndërkombëtar për zbardhjen e rastit. Kjo duhet të jetë mësim për neve”, tha Deda.

Besa Gaxherri deputete e LDK-së tha se ka qenë kundër këtij debati, i cili ka ndikime të drejtpërdrejta në drejtësinë e këtij vendi. Ndërsa tha se VV po e keqpërdor vdekjen e Astrit  Deharit për përfitime politike.

“Konsideroj që përgjegjësinë, nuk mund ta mohojnë institucionet e vendit, qoftë vrasje, qoftë vetëvrasje. VV është duke përdorë dhe keqpërdor vdekjen e tij për përfitime politike. Familja çuditërisht ekspozon dhimbjen dhe tragjedinë dhe të tërën e vë në funksion të  kauzës së ulët të subjektit që i takojnë. Avokati i familjes Tomë Gashi, i cili pa fije konsiderate, në mënyrë të paskrupullt tregon jo profesionalizëm dhe shtrembërim skajshmërisht të fakteve. E sot po i bashkohet dhe Kuvendi i Kosovës, duke rënë në kurthin e njerëzve që më së paku merren me dhimbjen dhe drejtësinë për Astrit Deharin”,  tha Gaxheri.

E deputeti Rexhep Selimi i quajti hipokrit deputetët e shumicës  të cilët i fillonin fjalimet e tyre me ngushllime për familjen Dehari, duke e quajtur hipokrizi neveritëse.

 

“Çka duhet të pasonte nga ky debat, e sidomos nga përfaqësuesit e PDK-së dëgjohej në fillim me melankolinë e tyre të zakonshme në rate të tilla, kur thotë nuk është mirë të debatohet për raste të tilla. Me që nuk qenka mirë sipas jush, atëherë pse e keni thirrë këtë senate. Si rezultat i presionit medial.  Po ashtu thatë ‘iu ftoj të jeni korrekt’. Por ju a jeni korrekt fillimisht, që kërkoni nga të tjerët?. Nuk jeni dhe as nuk keni qenë dhe nuk keni ndërmend, të jeni korrekt ndaj asaj teme që flasim sot. Nuk mund ta bëjmë siç kërkon GP i PDK-së që  të bisedojmë pa dallim. Jo nuk mund të bisedojmë pa dallim. Sepse ne dallojmë shumë dhe kjo është e mirë që ne dallojmë shumë. Por një çudi vjen dhe nga GP i LDK-së që në këtë rast kthehet avokat besnik, i klanit Pronto në këtë temë….Kosova  pas lufëes ka pasur pushtete herë më të dobëta, herë mà « të mira e herë me të këqija, veç pushtet me të poshtër kurrë Kosova  s’ka pasur prej pasluftës deri më sot. Dej aty shkon poshtërsia saqë akuzoni të vdekurin. E sillni në bankën e të akuzuarit të vdekurin, kur ju thoni se ai paska  kryer akt terrorist, apo duhet të vijë drejtësia për atë çfarë akuzohet”, tha  Selimi.

Ndaj këtij fjalimi kanë reaguar shefat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së Zenun Pajaziti dhe Ismet Beqiri.

Pajaziti kërkoi nga Selimi të mos e keqpërdor tendencën e tyre për me qenë korrekt.

 

“Rexhë e di mirë ku e ke fjalën e di mirë edhe ti. Mos e keqpërdor tendencën tonë me qenë korrekt ndaj këtij rasti dhe ndaj familjes. As ti, as unë as Vetëvendosje,  as ky Kuvend nuk duhet ta pengojë drejtësinë“, tha ai.

E Ismet Beqiri, i tha Selimit se ata asnjëherë nuk kanë kërkuar zbardhjen e asnjë rasti të vrasjeve, që kanë ndodhur në Kosovë, e as për veprimtarët e LDK-së.

“Po i them z. Selimi se asnjëherë në jetën e tij as ai edhe subjekti që i takon, kur një ditë kërkuan të zbardhet ndonjë rast ndaj veprimtarëve të LDK-së dhe presidentit Rugova. Kurrë asnjëherë nuk e kanë bërë. Dhe e dyta dallimi mes nesh është shumë i qartë. Ne kërkojmë të zbulohet rasti i z. Deharit nga organet kompetente. Pse jo hetim nderkombëtar kujt po i pengon zbulimi i së vërtetës”, tha Beqiri.

Ndërkaq Selimi e akuzoi Beqirin, se nuk ka nënshkruar për themelimin e Komisionit hetimor, pasi që tani është në Qeveri me ata që i ka akuzuar për këto vrasje.

 

“Z. Beqiri e kam thënë dhe në këtë Parlament, po e them dhe njëherë  qite atë copë nënshkrim aty ku duhet…Pra qite nënshkrimin e themelimit të komisionit hetimor. Por ti nuk e qet. Sepse sot je në Qeveri me ata që i ke akuzu për ato vrasje. Prandaj ti  nuk e qet. Ti ndoshta ke me qit nesër, kur nuk je në Qeveri me ta. Por për aq sa je në Qeveri ti nuk po e qet. Madje ti nuk e ke qit atë nënshkrim as kur ke qenë  gjoja kundërshtar i tyre në mandatin e kaluar që dy mandate ta kërkojmë atë copë nënshkrimi qite dhe u kry”, tha ai.

E Beqiri këto deklarata të Selimit i quajti demagogji.

 

“ z. Selimi n’koft mbetë puna në atë copë nënshkrimi. Me u zbulu këto raste që 17 vjet.  Kjo është demagogji dhe hipokrizi e juaja. Sepse edhe po ta bëjmë komisionin, nuk është komisioni  hetimor që i zbulon ata bandit dhe ata vrasës, cilido qoftë ai i cilitdo subjekt politik, po ta them ty. Sepse ju mos harroni një gjë, keni qenë në këto subjekte politke z. Selimi. Është mirë me pa secili veten”, tha ai.

Ndërsa Albin Kurti tha se politizimin e këtij rasti e ka bërë sistemi shtetëror në Kosovë, pasi që ka arrestuar gjashtë aktivistë për terrorizëm, pa pasur prova e fakte.

 

“Është e thellë ndërhyrja politike në këtë rast dhe gjithë situatën e krijuar. Ju e mbani mend që kryetari i Kuvendit i instaluar nga shumica me katapultu direkt nga nëntoka,  pat thënë se po e vrani veten, disa ditë para se të vdes Astriti. Ky duhet të na shpjegoj neve, për çka  e kishte fjalën. Çfarë figure kishte e kishte në mendje, teksa na e bënte këtë pyetje. A e kishte në mendje Dino Asanaj….Dy motive të mundshme të regjimit për atë që i kanë ndodhur  Astritit. I pari është që ka kolapsuar  procesi. A di çka do të thotë që 6 të rinj t’i akuzosh për terrorizëm,  e emrat e tyre t’ua futesh në listën e të akuzuarve për terrorizëm në botë… Qëllimi është të thuhet se po luftohet terrorizmi dhe kush akuzohet për terrorizëm VV. Dhe kur iu kolapsoj  procesi tash duhet me ba diçka. Iu ka kolapsu procesi. Na lejshin në vizita se mos po fl asim najsen. Se s’kishin prova… A po kuptoni iu ka kolapsu  procesi…Dhe motivi i dytë është se kanë hequr dorë prej neve, që jemi brezi i mesëm që jemi këtu. Kanë filluar ta sulmojnë brezin e ri, patriotëve të ri të këtij  shekulli. Prej meje kanë hek dorë. Jam ba aktivist veteran”, tha Kurti.

Edhe lideri i VV-së Visar Ymeri, tha se Klani Pronto i frikësohet drejtësisë.

 

“Klani Pronto i frikësohet drejtësisë. Se në tërë karrierën e tyre politike të pasluftës, pjesen më të madhe e kanë në nëntokë. Shumë vonë kanë dalë në sipërfaqe. Pra ftyra e Kadri Veselit vonë është parë. Por veprat e tij njihen prej vitit 1999. Prandaj  drejtësia për Astritin që realisht është drejtësi për Kosovën, është halë në sy. Në këtë syrin e Kadri Veselit, që mbyllet në RTK në emisionin e Ridvanit. Sepse ky i frikësohet drejtësisë“, tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka aprovuar rekomandimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet se nëse familja kërkon hetim të vdekjes së Astrit Deharit jashtë vendit, atëherë Qeveria e Kosovës, duhet t’ia mundësojë këtë duke hequr edhe shpenzimet.

Deputetët nuk e kanë votuar një projekt-rezolutë e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për rastin Dehari./KP