Aktuale

Deputetët e shqetësuar për murin në Mitrovicë, kërkojnë sqarime në Kuvend

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme sot diskutoi për situatën aktuale në Mitrovicë për ndërtimin e murit në pjesën veriore të qytetit.

Përveç si të gabuar ndërtimin e murit, kërkuan nga Qeveria e Kosovës transparencë dhe llogaridhënie për projektin e revitalizimit të urës së Ibrit në Mitrovicë.

Gjithashtu si të shqetësuar disa anëtarë  u dakodrudan se duhet të thirret një seancë e jashtëzakonshme për murin e ndërtuar në Mitrovicë.

Kryetari i këtij Komisioni, Elmi Reçica nga PDK-ja tha se javën e kaluar ka ndodhur një situatë, e cila e ka çrregulluar bukur shumë situatën politike në Mitrovicë dhe në tërë Kosovën.

Ai ka treguar se si Komisioni më 2 dhjetor kishin mbajtur një takim në Mitrovicë së bashku me KDI-në për të parë se si po ecin punët rreth projektit për hapjen e urës së Ibrit, dhe sipas tij, të gjithë kanë qenë dakord që ura të shërbejë  për të bashkuar njerëzit.

Reçica pati vërejtje se nuk është bërë publik i gjithë projekti për revitalizimin e urës.  Këtë mungesë të projektit, për të cilin tha ai, se e kanë vërejtur më 2 dhjetor,  nuk e kanë diskutuar, duke menduar se kjo çështje është e përfunduar dhe nuk do duhej të kishte ndonjë telashe.

 

“Për neve ka qenë pak befasuese që nuk e kemi parë askund maketin(projektin) e urës… Pse ne si deputetë, si komision parlamentar për Punë të Jashtme, si Kuvend i Kosovës, por edhe qytetarët e Kosovës nuk e kanë projektin e plotë dhe të saktë të ndërtimeve që do të bëhen në pjesën veriore dhe jugore të urës. Dhe kjo e para është një çështje që ne do të duhej ta diskutojmë dhe të marrim një vendim dhe të kërkojmë nga të gjitha institucionet edhe ato të cilat janë të përfshira në dialog, por edhe nga institucionet përkatëse… që ne dhe qytetarët e Kosovës ta kenë saktësisht projektin për revitalizimin e urës e urës së Mitrovicës”, theksoi Reçica.

Ai tha se nuk është për atë që të kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve  me Serbinë, por sipas tij, duhet të kërkohet nga kryeministri dhe të gjithë institucionet tjera që Kuvendi të jetë i informuar për të gjitha proceset që po zhvillohen tek ura e Mitrovicës. Dhe kjo sipas Reçicës mund të arrihet dhe këtu duhet të insistohet.

Anëtarja e komisionit Puhie Demaku nga VV tha se kjo temë nuk ishte dashur të sillet në këtë komision, por sipas saj, kjo e ka vendin në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Demaku tha se me ndërtimin e këtij muri është betonuar ndarja dhe është cenuar sovraniteti.

 

“Me ndërtimin e murit është prek thellësisht dhe konkretisht sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Dhe mendojë se ne si deputet në seancë gjithsesi duhet të ftojë në përgjegjësi kryeministrin dhe Qeverinë meqë ata janë të mandatar për administrimin e territorit të vendit dhe zbatimin e ligjeve të cilat ne si kuvend i kalojmë…. Dialogu së pari ka filluar për dy qëllime, e para ka qenë unifikimi i vendit dhe përshpejtimi i procesit integruese në BE. Të dyja këto kanë dështuar”, tha Demaku.

Anëtari i Komisionit, Zafir Berisha nga Nisma, muri është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ky projekt për murin sipas tij është rezultat i marrëveshjeve të fshehura në Kosovë- Serbi në Bruksel.

 

“Muri është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe fillimisht në vitin ’99-2000 atje është bërë një pastrim etnik nga forcat kriminale të mbështetura nga Beogradi që kanë pasur pastaj me bllokimin e urës me zhavorr, me parkun e ‘paçes’ e deri te muri. Andaj, kjo është vazhdimësi e këtij projekti, për të cilën unë dyshoj se ky projekt është rezultat i një marrëveshje të fshehtë midis Ahtisarit dhe Milosheviçit dhe  qeveritarëve jo vetëm këta të fundit por që nga pas lufta janë duke realizuar metoda kamufluese këtë projekte të copëtimit të Kosovës”, theksoi Berisha.

Anëtari Pal Lekaj nga AAK fillimisht tha se ky takim është i vonuar dhe se nuk ia vlen të diskutohet. Mirëpo, ai shprehet i habitur përse nuk kanë pasur informacione nga kryetari Agim Bahtiri për ndërtimin e murin  në ditën kur u vizitua nga ky komision ditë më parë.

 

“Aleanca ka marrë një iniciativë po atë ditë kur është informuar për seancë të jashtëzakonshme, mirëpo fatkeqësisht përpos Nismës nuk ka gjetur mbështetje të asnjë subjekti politik. Dhe nuk e di se si mund deputeti mos të nënshkruaj kur vendi është në rrezik, kur vendi po ndahet në mure dhe fare nuk janë të ndërgjegjshëm që të nënshkruajnë një thirrje për një seancë të jashtëzakonshme ngase është me rëndësi jetike për vendin dhe të dialogohet m’u në kuvend ku jemi edhe të thirrur. Mirëpo, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Sa i përket murit, ne ishim bashkë me juve, më habit fakti që atë ditë nuk kemi marrë as një informacion sa i përket ndërtimit të murit. Po ashtu më habit afkti që edhe nga kryetari i komunës nuk jemi informuar se si do të bëhet rivitalzimi i urës”, tha Lekaj.

Blerta Deliu  nga PDK-ja  tha se ndërtimi i murit është një projekt i rëndë dhe nuk do koment. Ajo tha se duhet të jenë transparente këto vendime dhe kërkoi rrënimin e murit ngase ka shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

 

‘Unë e mirëpres vendimin e fundit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor që ky muri të rrënohet dhe kërkoj  nga institucionet që ta zbatojnë këtë vendim, të mos mbetet vetëm kërkesë, por të jetë ultimatum që ky muri të rrënohet….ky muri ka ndikuar që preket kushtetuta dhe ligjet e vendit. Andaj, është obligim i yni si deputet që këtë çështja ta dërgojmë në seancë dhe si deputet të kërkojmë transparencë. është për keq ardhje që deputet për një çështje kaq të ndjeshme dhe jetike për të ardhmen e vendit të informohen nga mediat”, tha Deliu Kodra.

Edhe Luljeta Veseli Gutaj nga PDK-ja, mendon se duhet të kërkohet një raportim më i detajuar nga ana e ministres Edita Tahiri, dhe ajo, sipas saj, të dërgoi një raport me shkrim Komisionit për Punë të Jashtme që të ketë mundësi për ta analizuar, dhe pastaj të thirret në raportim në komision për të shqyrtohen në detaje aty ku deputet kanë konfuzion.  /KP

the authorSamir Dalipi