Aktuale

Deputeti i LDK’së kërkon komision për verifikimin e demarkacionit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, ka thënë se Kuvendi duhet të krijojë një komision me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për ta verifikuar procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka theksuar se, nëse ky komision verifikon se demarkacioni është bërë mirë, duhet të ratifikohet në Kuvend por, nëse janë bërë gabime, atëherë nuk duhet të ratifikohet. “Do t’u mbesim borxh qytetarëve nëse kjo çështje nuk trajtohet si duhet në Kuvend. Debati nuk duhet të pengohet nga opozita dhe do të ishte gabim i madh nëse tentohet të pengohet sërish. Kuvendi duhet të ngrehë një komision me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për ta verifikuar procesin e demarkacionit”, ka deklaruar Rexhepi.
 
Ai u ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës të bashkohen për të gjetur zgjidhje për çështjet e interesit nacional siç është demarkacioni. “Prandaj, ftoj pozitën dhe opozitën të punojnë në interes të zgjidhjes së temave nacionale, e jo të krijojnë probleme”, ka thënë Rexhepi.
Ai e ka vlerësuar kontributin e opozitës në jetën parlamentare, duke thënë se pa partitë opozitare nuk ka Kuvend të mirëfilltë dhe punë të mirë. Sipas Rexhepit, pozita e opozita duhet të punojnë në interes të zgjidhjes së temave nacionale, e jo të krijojnë probleme. “Kjo është çështje e veprimeve të tyre politike. Pa opozitën nuk ka Kuvend të mirëfilltë dhe punë të mirë. Prandaj, edhe të tjerët duhet të reflektojnë dhe të kthehen në Kuvend për ta dhënë kontributin për zgjidhjen e temave, pa ofendime mes njëri-tjetrit”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Rexhepi ka folur edhe për punën e koalicionit LDK – PDK, duke thënë se kabineti qeveritar ka bërë një punë të mirë deri më tani. “Pritjet e qytetarëve janë shumë më të mëdha. Në disa fusha është punuar shumë, kurse në disa fusha të tjera mbetet edhe shumë për t’u bërë. Sigurisht se ka pakënaqësi të natyrave të ndryshme, megjithatë Qeveria është udhëhequr mirë nga kryeministri me një politikë të arsyeshme dhe të butë, duke dhënë një shans që temat të debatohen, por ka pasur edhe telashe”, ka theksuar Rexhepi.
the authorSamir Dalipi