Aktuale

Dështimi i ministrave dhe deputetëve në komuna

Dy ministra të Qeverisë së Kosovës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit nuk arritën bashkërisht t’i marrin më shumë se 1000 vota. Betejën komunale në rundin e parë e humbën edhe gjashtë deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndonëse u zgjodhën deputetë e u emëruan ministra shumë prej tyre brenda pak muajve ia mësynë garës edhe për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, duke pretenduar kështu që ta marrin udhëheqjen e komunave përkatëse.

Por, pavarësisht kësaj, pjesa dërrmuese e tyre dështuan qysh në start në këtë mision. Dy ministrat e Nismës për Kosovën, Shyqyri Bytyçi (ministër i Arsimit) dhe Bajram Hasani (i Tregtisë e Industrisë), pretenduan të vinin në krye të Prishtinës e Gjilanit, por nuk arritën ta kalojnë as rundin e parë të zgjedhjeve.

Ministri Hasani në Gjilan i mori vetëm 665 vota, përderisa Bytyqi në Prishtinë edhe më pak, përkatësisht 568 vota. Përfaqësues nga Nisma lidhur me dështimet e ministrave të tyre në nivel lokal thonë se synimi i partisë nuk ishte që të shkohet në balotazh, porse të fitohet sa më shumë nëpër asambletë përkatëse.

E përderisa deputetët si Qëndron Kastrati, Arban Abrashi, Mytaher Haskuka, Sami Kurteshi, Gani Dreshaj, Mimoza Kusari-Lila e Agim Aliu shkuan në balotazh, një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk arritën ta bënin një hap të tillë.

Zafir Berisha, Faton Topalli, Driton Çaushi, Sali Salihu, Zenun Pajaziti e Emilia Rexhepi ndonëse ishin shprehur të bindur në fitore nuk e arritën një gjë të tillë. Pavarësisht humbjes disa prej tyre thonë se nuk kishin ambicie për fitore, por vetëm për ta rritur partinë në komunat përkatëse.

the authorE B