Aktuale

Dështon seanca kundër 35 policëve të akuzuar për korrupsion

Është shtyrë në afat të pacaktuar seanca gjyqësore kundër 35 policëve të akuzuar, 15 nga stacioni i jugut të Mitrovicës dhe 20 policë nga veriu, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të mitos.

Kjo seancë e cila për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve u mbajt sot në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, u shty për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve, përkatësisht Manojllo Vllashkoviq, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Avni Mehmeti, nuk janë plotësuar kushtet e mbajtjes së kësaj seance gjyqësore, ndërsa kërkoi që për shkak të efikasitetit të lëndës, të veçohet procedura për policët e stacionit të veriut, nga ata të stacionit të jugut.

Prokurorja Zejnije Kela, u pajtua me propozimin për veçim të procedurës, ndërsa disa nga avokatët e kundërshtuan këtë propozim.

Avokati Musa Damati, ka thënë se lufta e vërtetë e korrupsionit duhet të fillohet nga kokat e kësaj shoqërie. Sipas tij, procedura nuk duhet të veçohet për shkak të interesave të drejtësisë në radhë të parë, si dhe për shkak të sistemit unik i cili ekziston në territorin e Republikës së Kosovës.

“Unë si avokat në këtë rast penal vazhdoj të mendoj se atë luftën e vërtetë të korrupsionit duhet ta fillojmë me kokat kancerogjene të kësaj shoqërie… Sa i përket veçimit të procedurës… mendimi im si mbrojtës në këtë rast penal është që të vazhdohet me jo veçimin e procedurës. Kjo për shkak të interesave të drejtësisë dhe për shkak të sistemit unik i cili ekziston në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi Damati.

Ndryshe, 35 policët e dyshuar u arrestuan në dhjetor të vitit të kaluar në një aksion gjatë të cilit në pranga përfunduan gjithsej 59 policë. /KosovaPress/