Aktuale

Digjen malet e kullosat në komunën e Vushtrrisë

Të paktën pesë vatra zjarri janë shënuar në komunën e Vushtrrisë, të martën dhe të mërkurën. Zjarret kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë të pyjeve në lokalitete të ndryshme në komunën e Vushtrrisë, ndërsa gjendje më e rëndë tregohet të jetë në Taragjë, kur zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me pisha.
Zyrtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë kanë njoftuar për pesë vatra zjarri në komunën e Vushtrrisë që kanë përfshirë dhjetëra hektarë pyje.

“Shumë vatra të tjera zjarri kanë shkrumbuar hektarë të tërë me kullosa në zona tjera, të favorizuara edhe nga temperatura të larta. Zjarri i parë është regjistruar në fshatrat Dumnicë e Poshtme, i cili është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe kullosave duke marrë drejtime të ndryshme edhe në fshatrat tjera”, kanë thënë në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Vushtrrisë.

Sipas një njoftimi të Komunës së Vushtrrisë, të cilin e përcjellin mediet lokale, me marrjen e informative në të gjitha vatrat e zjarrit kanë mbërritur ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve të Vushtrrisë, të cilët me një angazhim të jashtëzakonshëm kanë arritur të lokalizojnë zjarrin dhe të shmangin djegien e shtëpive që gjenden në afërsi.

“Zjarri tjetër i fuqishëm ka qenë në zonën e fshatit Pasomë. I ndihmuar nga erërat e fuqishme zjarri është përhapur në sipërfaqe të mëdha të kullosave dhe barishteve. Dhjetëra zjarrfikës nga Vushtrria kanë mundur të vënë zonën në kontroll pas një përpjekjeje të gjatë. Vatra të vogla të zjarrit janë paraqitur edhe në mjedise tjera, ku dyshohet se vetë pronarët kanë djegur mbetjet nga korrja e grurit. Njësiti i Zjarrfikësve në Vushtrri gjatë ditës ka marrë një informacion edhe për vatra të reja zjarri në fshatin Tërllabuq, ku mësohet se një banori i janë djegur disa hektarë me pjepra. Në pamundësi që gjitha efektivat e zjarrfikësve të arrijnë në gjitha vatrat e zjarrit është kërkuar ndihmë nga kolegët e Skenderajt dhe të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.

Gjendja alarmante tregohet të jetë në Taraxhë ku vatra e madhe e zjarrit është përhapur me shpejtësi në pyllin me pisha. Disa makina zjarrfikësish që nga dita e martë po tentojnë të shuajnë flakët e përmasave të mëdha. Përpos zjarrfikësve në ndihmë kanë dalë edhe njësitë policore dhe zyrtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, kurse një kontribut të veçantë kanë dhënë vetë banorët lokalë.

Siç ka mësuar gazeta nga burimet në Komunë, kjo sipërfaqe me pisha është pronë shtetërore. Për këtë rast ka folur edhe Nezir Klinaku, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili ka sqaruar se njësitë e zjarrfikësve nga Vushtrria dhe Skenderaj kanë dalë në vendin e ngjarjes për lokalizimin e zjarrit. Dyshohet se shkak për zjarret është pakujdesia.