Aktuale

Diskutohet për projektin e zgjatjes së pistës në aeroportin “Adem Jashari”

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj priti sot në takim përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Aeroportit “Adem Jashari”, me të cilët ka biseduar për projektin e zgjatjes së pistës në këtë aeroport, për të cilin pritet bashkëpunim i dyanshëm.

Drejtori i Bordit, Nihat Ozdemir ka folur për projektet, të cilat po i realizon “Limak” në Turqi dhe Kosovë, me ato sipas modelit të Partneritetit Publiko Privat (PPP) dhe investime të tjera.

Ministri Lekaj duke folur për projektin për zgjatjen e pistës së aeroportit, tha se është i gatshëm të bashkëpunojë për këtë projekt, por kërkon hapësirë kohore për të analizuar formën e financimit, për shkak të shumës së madhe e cila është paraparë për t’u investuar për këtë pistë dhe pamundësisë për ta mbuluar në tërësi.

Në takim u diskutua edhe për mundësinë e aktivizimit edhe investimit në aeroportin e Gjakovës për të cilin u dakorduan dy palët që shumë shpejt të bëhet një studim fizibiliteti, si dhe të gjenden format më të mira të investimit.