Opinione

Domosdoshmëria e identifikimit të “njanit” te shqiptarët

Lulzim TAFA

“Më tha njani”, “njani më tha”, “kjo është e vërtetë sepse më tha njani”, “jo, nuk është e vërtetë se më tha njani”, “njani më tregoi”, “ashtu siç më tha njani”, “o burrë, njani mua më tha se” e deri te “be bani njani se…”.

Këto janë referencat ”empirike” dhe të panevojshme për t’u verifikuar qoftë si pohime, qoftë si mohime, qoftë si ngjarje apo veprime, mosveprime, barsoleta, qoftë si ndodhi e anekdota.

“Njani” (njëri) është person shumë i besueshëm dhe shumë i mençur. Është mit i ne shqiptarëve.

‘Njani’ është ai që na tregon ne shqiptarëve shumëçka, për të mos thënë gjithçka.

Po kush është ky ‘njani’? Prej nga vjen, me se merret konkretisht?

Edhe pse e paramendoj një njëri apo mbinjeri Universal, me informacion dhe dije kulminante në të gjitha sferat e jetës, në shikim të parë duket gjenial, ka raste kur edhe duket matrapaz.

Sinqerisht i kërkoj falje sepse nuk dua ta paragjykoj, bile bile edhe ndonjëherë e respektoj, e shoh edhe si prognozues të mirë të ngjarjeve dhe situatave.

Vetën e konsideroj si njeri me fat, madje edhe shumë të privilegjuar, sepse ka shumë gjasa që ‘Njani’ të jetë mik i një miku tim. Nuk ka privilegj më të madh për mua që personalisht ta njoh ‘Njanin’.

E di që për ta njohur atë nuk jam i interesuar vetëm unë, por edhe shumë të tjerë, madje edhe ndërkombëtarë. Bile, një ndërkombëtar kishte pyetur qartë se kush është njëfarë ‘Njani’ që po ju tregon gjithçka juve shqiptarëve?

‘Njani’ madje, duket të jetë një personalitet me shumë influencë. Ai influencon edhe politikën e vendit. “Njani’ i kishte thënë diçka edhe presidentes një ditë, edhe kryeministrit, e sa për ministra e të tjerë as mos të flasim, sepse ai për çdo ditë u thotë atyre diçka.

‘Njani’ u tregon diçka edhe gazetarëve, edhe opinionistëve e analistëve.

Kush është ky njeri që e kemi aq afër e nuk e njohim, apo e mbajmë të fshehur ?!

Përveç këtyre, ai është shumë IN edhe sa i përket jetës private të të tjerëve. Ai i di, pothuajse, të gjitha “lidhjet intime” të të gjithë njerëzve, madje ai ka qasje edhe në të gjitha dosjet e shërbimeve më sekrete botërore, duke e ditur kush për cilin shërbim punon dhe çka punon.

Informata më të detajizuara se ‘Njani’ për Kosovë, nuk ka askush, harroje!

Të jem i sinqertë, jam shumë i nervozuar me ‘Njanin’, e më së shumti nervozohem kur ai kërkon transparencë. Merreni me mend “transparence”, e vet nuk tregon se kush është. Vërtet i çuditshëm është ky ‘Njani’.

Para pak ditësh një mikut tim i kishte thënë ‘Njani’ diçka interesante, por të pabesueshme. Unë insistova që ajo të verifikohej, sepse është mirë që ajo të verifikohej paraprakisht. Miku im në fillim hezitonte të tregonte se kush konkretisht i kishte thënë, por ai konsideronte se mjaftonte që i kishte thënë ‘Njani’. Në fillim u bëra nervoz, insistoja dhe këmbëngulja ta njihja, bile edhe ta takoja. Besoja se ia vlente. Pas insistimeve të mia permanente që të më tregonte për ‘Njanin’, miku im me mjeshtri u tërhoq, duke thënë se më duket që edhe “Njanit i kishte thënë njani”.

Çka po ndodh tash? Nga doli ky ‘njani’ tjetër tash? Sa njana janë?

Këtu nisi të lëkundej edhe besimi im për ‘Njanin’ dhe të shpalli publikisht kërkesën time për identifikimin e tij. Është imperative i kohës gjetja e ‘Njanit’. Ai duhet të identifikohet patjetër. Ta dimë se kush është ai, pasi që është me kaq ndikim në jetën tonë.

Uroj ta gjejmë! Përndryshe, nëse nuk e gjejmë, unë më nuk do t’i besoj atij. Nëse është diku, le të dalë, nuk ka nevojë të fshihet.

Kishte me qenë mirë sikur ‘Njani’ të mos ekzistonte fare. Mos e dhashtë Zoti!

Kujt do t’i referohemi ne pastaj!?

the authorSamir Dalipi