Aktuale

Dosja e Shefave XIII: Plani i Grabovcit për kontrollimin e tre milionë eurove të një ndërmarrjeje (Audio)

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci kishte folur hapur me një bashkëveprimtar të çështjes kombëtare për përfitime të mëdha materiale.

Ata planifikonin që në krye të një ndërmarrje që kishte mbi tre milionë euro të hyra, të dërgonin njeriun e tyre, i cili do të kishte qasje në para.

Kjo bisedë ka përmbajtje të theksuar të zhvatjes, shantazhit, ushtrimit të ndikimit e përfitimeve tjera financiare.

Është një prej bisedave që protagonistët flasin hapur për përfitimet e tyre materiale dhe interesat personale në kurriz të pasurisë dhe parasë publike.

Adem Grabovci ia kishte vënë syrin një ndërmarrjeje në rajonin e Dukagjinit që kishte tre milionë euro të hyra në vit.

Grabovci-Veselit: Ti i merr vendimet, unë i zbatoj (Audio)Grabovci-Veselit: Ti i merr vendimet, unë i zbatoj (Audio)

Për të kontrolluar paranë, ai do të dërgonte në një pozitë të lartë udhëheqëse njeriun e tij, të quajtur Bujar.

Bujari, do t’i raportonte vazhdimisht Grabovcit për qarkullimin e parasë. Për të ndërmarrë këto veprime, Grabovci ishte këshilluar nga një person i quajtur Ismet, i cili kishte qenë në burg së bashku me Grabovcin gjatë viteve të ’80-ta.

Pushteti i Grabovcit dhe i Partisë Demokratike mbi ndërmarrjet publike e komunale në rrafshin e Dukagjinit, duke nisur nga Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni, dëshmohet në një bisedë të përgjuar telefonike që zgjatë mbi dhjetë minuta.

Gazeta Online Insajderi sjell të plotë këtë bisedë me përmbajtje të theksuara të zhvatjes, shantazhit, ushtrimit të ndikimit e përfitimeve tjera financiare.

Pos tjerash, Ismeti e informonte Grabovcin që një person që nuk i përmendet emri kishte konkurruar për anëtar të Bordit të Iber Lepencit, ndërmarrje kjo që drejtohej nga miku dhe bashkëpunëtori i Grabovcit, Hajdar Beqa. Për të arritur këtë pozitë, sipas bashkëbiseduesit, konkurrenti dinte diçka prej veprimeve të Adem Grabovcit.

Konkurrenti, donte këtë pozitë, ose do të fliste për ato që dinte.

Grabovci i thotë Kadriut: Shuplaka të kisha rreh (Video)Grabovci i thotë Kadriut: Shuplaka të kisha rreh (Video)

Ismeti, e kishte takuar paraprakisht konkurrentin dhe kishte biseduar me të rreth pretendimeve kundër tashmë ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së. Ai e këshillonte Grabovcin që kur ta takonte vetë, ta incizonte bisedën sepse do t’i duhej për të ardhmen.

Kjo është një prej bisedave që protagonistët flasin hapur për përfitimet e tyre materiale dhe interesat personale në kurriz të pasurisë dhe parasë publike.

“Tash t’i bon diçka, se ai mi tha mu do sene. I thash shko thuj edhe atij vetë. Edhe inçizoja qato”, e këshillon Ismeti, Grabovcin në fillim të bisedës.

“Po, lidhur me çka folke?”, interesohet nënkryetari i PDK-së.

“Inçizoja…, lidhur me ty edhe çka menojnë tjertë ose çka jonë t’u përgatitë tjertë”, sqaron Ismeti.

“Eh… ahmak, hiq mos ta nin. Ti e din se kaherë kanë pregatitë edhe veç me nerë me thonë…”, shton Grabovci për ta pyetur Ismetin se a kishte ndonjë kërkesë ky person.

“Ja mora kërkesën. Ai ka lyp me shti n’punë, po për ata s’qaj bëthen unë për to… I ka qitë n’bord more, me hi n’borde… I ka qitë n’Ibër Lepenc, e… i ka qit edhe… në kta t’bërllogut e te s’di kun qashtu”, thotë Ismeti.

Ndërkohë, Grabovci e pyet bashkëbiseduesin se a ka konkurruar diku tjetër ai, apo është mirë aty ku është deri tash. Ai thotë se nuk ka konkurruar në Prishtinë sepse e di se nuk do të vije në shprehje.

“Mos ia kaj nanen allahile more, more, mos mos. Me mu je tu fol, nuk je t’u fol…”, shton Grabovci.

“Po me ty jom t’uj fol, po pse me t’qit…, ja funi funit pse me t’nxjerr telashe edhe ty. Nem lafshi qaty ku jom mirë e boll, sem lat…”, shton Ismeti.

Adem Grabovci e pyet se kush ka qenë kryesues i Bordit. Ismeti i thotë se ka qenë Ismet Neziri, të cilin e kishin hequr për ta sjell një të LDK-së. Grabovci, i thotë bashkëbiseduesit që të kalojë si kryesues i Bordit të ri.

“I kom qit edhe në…, Hidrodrin në Pejë… Po bre qatu mirë boll osht, s’kom unë… Atje nuk i kom qit unë për atje nelt se…”, thotë Ismeti.

“Veç kalon kryesues”, e këshillon Grabovci.

Bashkëbiseduesi e këshillon Grabobcin që në një ndërmarrje që drejtohet nga dikush i quajtur Ismet, që ta dërgojë dikë të besueshëm e dëgjueshëm. Ky person, sipas tij është Bujari. Nuk përmendet emri i ndërmarrjes.

“Po, po Bujarin, dikun po”, thotë Grabovci. Po besoj aty osht Bujari…”.

“Mirëpo unë pe di, po unë po të thom Bujarin, Bujarin… Ai i ka tre mi… ai (v.j drejtuesi i ndërmarrjes) i ka tre milion euro t’hyra n’vit”, thotë bashkëbiseduesi i Grabovcit.

“Po a?”, pyet Grabovci.

“Po vallain, unë për qata jom ka t’thom osht mirë mirë me qu Bujarin, se… Nuk i din, na s’kem fol për atë çështje, po për do sene… nuk ma merr menja që i dinë do sene për to sikur i di unë…. Po, me shku Bujari aty munesh me ditë, me pas, me ditë sene shumë, e mos me shku ai, ai i kryn senet e veta, se po të thom 3 milionë euro i ka n’vit t’hyra (v.j ndërmarrja)”, vazhdon bashkëbiseduesi.

“Ani de…”, përgjigjet Grabovci.

“Ato lekë jonë ato. Përpos Bujarit…, ai munet me ta përcjell gjendjen burrë. N’mujsh qit djalë me rahatu o burrë, e bon sevapin se m’ka met thjeshtë n’qafë pash besën. Invalid i luftës. E kanë rrejt kta Aleanca, kanë bo hajgare me to. Funi funi, o kryetar dege n’Irzniq o burrë”, shton bashkëbiseduesi i Grabovcit.

“Edhe Ismetin e çoj, edhe Ismeti shkon hiç mos ki dert”, konfirmon Grabovci. “I kom sistemu, bos, krejt n’tana anët po…”.

“Veç me çu dikun. Eee… n’paç naj obligim ndaj Hadërgjonve, e kryn vetë unë s’kom nevojë me të thon”, ia kujton bashkëbiseduesi, Grabovcit obligimet tjera. Grabovci, thotë se Beqën do ta dërgojë.

“Hajde pra faleminderit kalofsh mirë”, e uron bashkëbiseduesi.

“Sa vet i ka, i ka te ti bordi”, vazhdon Grabovci.

“Te na katër i ka pas. Tash s’di unë sa”, përgjigjet ismeti.

“Po… çka bone more me ata t’Ramë Nimonve”, kalon bisedën Ismeti tek rastet tjera duke përmendur emrin e Artonit të cilin e kishte takuar ai dhe kishte biseduar për çështje sistemimi në borde.

“M’tha, ti i sheh ata t’mdhajt, ata shefat. Tha unë për këtu n’Gjakovë nuk jom i interesum. M’tha me ja lshu venin dikunaj. Thash pse. Tha jo, kom bo pare boll. Thash po ti atëherë masi paske bo pare boll, pse pra ja nxejshe edhe ktyneherë. Eh, po tha me i marr qato pare badihava. Tha jom i interesum dikun ma nelt. Thash e ku ma nelt. Tha qaty n’Ibër Lepencë, a n’KEK, a n’Postë a dikun, se ktu privatizohen tasht e…, nu vysha najsen unë a din…, se mos u vyfsha tha s’o problem”, tregon Ismeti.

Insajderi ka kontaktuar me Ismetin, i cili ka treguar për lidhjet që ka me Adem Grabovcin.

Ai ka thënë se me të kanë qenë në burg gjatë veprimtarisë ilegale për çështjen kombëtare. Ka thënë se ka qenë anëtar i Bordit në kompaninë rajonale, Dukagjini, që për veprimtari ka ujitjen. Ka thënë se ka qenë shumë i suksesshëm, duke e nxjerr ndërmarrjen nga borxhet që ishte mbi 100 mijë euro, dhe duke arritur t’ua rris pagat punëtorëve.

Për tri vjet, ka thënë se ndërmarrja ka qenë në plus.

“Osht e vetmja kompani që nuk ka shpenzu… I vetmi bord që nuk ka shpenzu n’emër kompanisë as ni lekë. Kom arrit me ja rrit pagat punëtorëve dy herë edhe me ja siguru, me ja bo… sigurimin shëndetësor”, ka treguar ai.

Ai ka shpjeguar lidhjet me Grabovcin, me të cilin thotë se nuk del në dreka e darka, por vetëm punon gjatë gjithë kohës.

“Kom lidhje se 81-ën, ai ka qenë i burgosun politik prej Serbisë. Unë kom qenë i burgosun prej serbve edhe gjithë ata djemtë që jon djeg me bo diçka për Kosovën, për të mirën e Kosovës, se nuk është e mira e Kosovës vetëm sot. Je fort i vetëdijshëm, osht para sa e sa vjete gjithë ata djem që kanë bo diçka për Kosovën, të gjithë i njoh, i çmoj edhe i respektoj”, ka thënë Ismeti.

“Thash raporte prej ni atdhetari, i cili ka bo ni punë shumë t’madhe për Kosovë, ai personalisht se njohum po si familje e ka dhanë edhe vllahun”, shton ai për të vazhduar lëvdatat për Grabovcin, i cili siç thotë ai ka lënë jetën luksoze në Zvicër dhe është kthyer për të luftuar për atdhe.

Ka dhënë edhe këshilla profesionale për gazetari.

“Problemi është kshtu. Kur t’i nxirrsh gjanat, nxirri edhe t’bardhën edhe t’zezën, që të dyja. Shembull qite ni Adem Grabovc që bjen përgjime edhe qite ni Adem Grabovc tjetër që ka bo diçka, se o mirë m’u pa edhe e bardha edhe e zeza”, ka thënë ai.