Ekonomi

Drejtuesit e Odës së Afarizmit takohen me zëvendëskryeministrin e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim Bordin udhëheqës të Odës së Afarizmit të Kosovës.

Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi u njoftua për aktivitetet e Odës, e cila ka filluar veprimtarinë e saj gjatë 3 muajve të fundit, por edhe për qëllimet e saj në mbrojtjen e bizneseve.

Zëvendëskryeministri Kelmendi foli për punën që po bën Qeveria e Kosovës deri në finalizimin e Pakos Fiskale 2, përmes së cilës prodhuesit vendor do të trajtohen në mënyrë të barabartë me prodhuesit e regjionit.

Në takim, zëvendëskryeministri Kelmendi, tha se Qeveria ka arritur që të ulë papunësinë nga 35 në 26 përqind dhe po ashtu ka shënuar hapa pozitiv në procesin e fiskalizimit të bizneseve.

“Pakoja fiskale 2 do të jetë një rilindje për prodhuesit e Kosovës. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa është e përkushtuar për të mbështetur prodhuesit vendor dhe në përgjithësi zhvillimin ekonomik”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Me këtë rast, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se rritja e zhvillimit ekonomik në këtë Qeveri ka shënuar hapa pozitiv në krahasim me Qeveritë e mëhershme, duke njoftuar edhe për qëllimet që ka kjo Odë në mbrojtjen e bizneseve./KosovaPress/