Aktuale

Drenica proteston kundër dënimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, u mbajt një protestë paqësore për të ngritur zërin kundër ‘padrejtësive që po i bëhen luftëtarëve të lirisë dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Javën që shkoi Gjykata e Apelit ua ka konfirmuar dënimet 10 të akuzuarve në rastin “Drenica II”. Organizatorët e kësaj proteste theksuan se arrestimet, burgosjet, gjykimet nga e ashtuquajtura drejtësi ndërkombëtare që po bëhen në Kosovë është e pa pranueshme.

Ndaj, nga këtu iu bë apel faktorit ndërkombëtar e vendor që të jenë më syçelë ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarëve të saj.

Kryetari i Shoqatës së Luftëtarëve të UÇK-së në Drenas, Enver Hajdari, tha se derisa ushtarët dhe pjesëtarët e UÇK-së arrestohen e burgosen, ndërsa kriminelët të cilët vranë shqiptarë, dogjën e persekutuan, enden lirshëm.

Ai tha se janë mbledhur sot për të protestuar dhe shprehur revoltën e tyre lidhur me padrejtësinë e që po vazhdon të ndodhë edhe pas 16 viteve duke i dënuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nga ky tubim u bëj me dije të gjithë atyre që pretendojnë t’i shkatërrojnë vlerat e UÇK-së, siç ditëm ta mbrojmë luftën, vërtet do të dimë t’i mbrojmë edhe këto vlera sublime. Ndaj, do të jemi pengesë e kapërcyeshme për të gjithë ata që pretendojnë ta kthejnë Kosovën në gjendjen e paraluftës, një gjendje të tillë nuk do të lejojmë. Kërkojmë që të ndalen këto gjykime, arrestime dhe maltretime të familjeve të dëshmorëve e të burgosurve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju bëjmë me dije juve të ashtuquajtur gjykatës dhe prokurorë, adresën e kriminelëve e keni në enklavat serbe që shëtisin lirshëm që duart i kanë të përgjakura me gjakun e fëmijëve, pleqve, grave dhe çdo gjëje që ishte shqiptare. Stop fushatës së dhunës nga disa ndërkombëtarë”, tha Hajdari.

Hajdari tha se kjo që po ndodhë, është e papranueshme, dhe sipas tij kjo është edhe një tentim për të barazuar kriminelin me çlirimtarët.

Sipas tij, UÇK luftoi si çdo popull luftuam për liri, prandaj, burgosjet e tilla janë akuza të padrejta dhe të pabaza në Grupe, duke filluar nga Grupi i Hagës, Grupi i Dukagjinit, Grupi i Llapit, rasti i njohur Ramadani Kiçina, dhe së fundi turpi më i madh i botës sipas Hajdarit është Drenica II dhe Drenica I.

Kreu i shoqatës tha se Gjykata e Apelit, e cila ia konfirmoi dënimin ushtarëve dhe pjesëtarëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, beson se nuk ka qenë e drejtë. Hajdari tha se nuk do të lejojnë që të shkelet mbi vlera të UÇK-së.

“Kjo situatë e pamatur nga ndërkombëtarët apo vendorët që shërbejnë nga busullat e Beogradit nuk e çojnë vendin në stabilizim, por në destabilizim. Ne vërtetë luftuam. Familjet e dëshmorëve i maltretoni, prandaj, nuk do të lejojmë që të shkelet mbi vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Kurse, në emër të administratës komunale të komunës së Drenasit, Xhemë Binaku, theksoi se jo vetëm që mbështesin ish kryetarin Nexhat Demaku në kauzën e drejtë atdhetare si dhe gjithë familjen e tij, por do të vazhdojnë të përkrahim deri në fund rrugën e tij të ligjshmërisë me të cilën u kthye një vendim i tillë aq i padrejtë dhe i papranuar.

Ai tha se mbeten me shpresë se Gjykata Supreme e Kosovës do të tregohet shumë e drejtë me vendimin s të ligjshmërisë, duke e hedhur plotësisht të padrejtë dhe të pabazuar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe vërtetimin e tij nga Gjykata e Apelit.

“Njëra ndër figurat e dalluara të kësaj lufte qëlloi ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë, ndërsa, tjetri figurë ishte pikërisht kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, të cilit ia ndërprenë kryerjen e detyrave të udhëheqjes së komunës aq pa drejtësisht sa edhe vet vendimi i gjykatës”, tha Binaku.

Ai në emër të punëtorëve të komunës shpreh gatishmërinë për mbështetje të plotë të protestës, duke kërkuar drejtësi të mirëfilltë dhe të lirohen nga dënimi jo meritor.

“Motivi apo arsyeja që na detyron që sot të jemi në këtë protestë është tepër e madhe për nevojën e mbështetjes së familjarëve të dënuar pa asnjë bazë…Siç e dini Gjykata e Apelit e dominuar nga gjyqtar diskriminues ndërkombëtarë ka dënuar sakrificën e këtyre luftëtarëve deri te krye komandanti për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të shtypur dhe okupuar nga Serbia fashiste. Me ketë goditën jo vetëm këta luftëtarë e komandues të shquar të kësaj lufte, por më së shumti u goditë pikërisht reputacioni i shkëlqyeshëm i lëvizjes sonë çlirimtare, e cila kishte fituar edhe përkrahjen e faktorëve më të fuqishëm ndërkombëtar”, tha Binaku.

Protestuesit që ishin mbi 1 mijë, në duar mbanin pankarta me mbishkrime “Liri për çlirimtarët”, “Të mbrojmë vlerat e luftës së UÇK”, “Poshtë EULEX”, etj.

Me vendimin e Gjykatës së Apelit janë dënuar vëllezërit, Zeqir, Jahir, Fadil dhe Nexhat Demaku. Vëllezërit e tjerë Bashkim, Driton, Selman dhe Agim Demaj. Ambasadori i Kosovës në Shqipëri dhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, Hysni Thaçi e të tjerë. Protesta të këtij lloj do të organizohen dhe në ditët e ardhshme./KP