Aktuale

Dy ditë më parë, amerikanët paralajmëruan rrezikun në veri

Departamenti Amerikan i Shtetit para dy ditë kishte paralajmëruar rrezikon në Veri. Ambasada Amerikane kishte paralajmëruar qytetarët e saj që dëshirojnë të vijnë në Kosovë që të jenë të kujdesshëm për shkak të trazirave të mundshme, duke përmendur edhe rrezikun që kanosë Veriun e Kosovës.

“Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në mbarë Ballkanin, përfshi edhe Kosovën. Terroristët munden që me paralajmërim të vogël apo pa asnjë paralajmërim, të sulmojnë lokacione turistësh, stacione autobusësh, tregje, qendra tregtare, ndërtesa të qeverisjes lokale, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive e kulturore, institucione edukative, aeroporte e hapësira tjera publike. Veç kësaj, në mbarë Kosovën ka dhunë të motivuar politikisht”, thuhej në paralajmërimin e Departamentit të Shtetit Amerikan.

Në këtë paralajmërim cekej që disa zona duhej shmangur ku përmendeshin Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani./Indeksonline/