Aktuale

Dy ditë shkuan, i mbesin edhe 13 tjera Albin Kurtit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është emëruar dy ditë më parë edhe zyrtarisht si mandatar për formimin e qeverisë së re. Mandatimi nga presidenti Hashim Thaçi erdhi pas propozimit të Vetëvendosjes, e cila e caktoi Kurtin  pavarësisht faktit se ende nuk është arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kështu me 20 janar  u është dhënë fund pritjeve, pasi është përcaktuar edhe afati kohor për fituesin e zgjedhjeve që të formojë Qeverinë e re të vendit, shkruan FaktePlus.

Kurti ka në dispozicion një afat prej 15 ditësh (tash kanë mbetur edhe 13)  që të formojë qeverinë ose të lëshojë rrugë për të tjetër që kanë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.

Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.

Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të Kuvendit.

Të dy partitë, LVV dhe LDK, kanë paralajmëruar se do t’i qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të dy partive./FaktePlus