Sport

A e keni ditur se ylli i Kombëtares ishte portier? (Foto)

Bekim Balaj, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, karrierën në futboll e ka nisur si portier.

Sot është simboli i dy prej fitoreve më të rëndësishme eliminatore të Shqipërisë me golat që ka shënuar. Një sulmues me peshë për Kombëtaren e Shqipërisë, por që hapat e parë i ka hedhur në skajin tjetër të fushës. Bekim Balaj ka luajtur si portier deri në moshën 13-14-vjeçare për shkak të shtat-lartësisë.

Një pozicion që sërish prej shtatit ndryshoi duke e dërguar në majën e sulmit. Pa mbushur ende 17 vjeç, arriti të bëhej një prej lojtarëve më të talentuar të brezit, duke u shpallur kampion me Vllazninë U-17. Trajneri që ndikoi në rritjen profesionale të Bekimit, Kujtim Shaba, tregon për ‘Panoram Sport’ edhe punën e madhe që është bërë me të, si edhe shansin që iu dha për të luajtur në ekipin e parë…

Shaba, si janë fillimet e Balajt?

Pasi u formua Akademia Vllaznia, unë u caktova trajner i U-17. Në këtë ekip kishte edhe lojtarë si Balaj, Vajushi, Hasani, Baci, Bardulla, Karakaçi, Erkoçeviç e të tjerë. Në atë kohë, kur Balaj ishte një nga shënuesit më të mirë, së bashku me Edon Hasanin, unë bisedova me presidentin Fushaj, i cili kishte një projekt e strategji afatgjatë për afrimin e këtyre dy lojtarëve tek ekipi i parë.

Presidentin më tha të flisja me trajnerin Josa, që ta vendoste ai. Pasi folëm, ata iu bashkuam ekipit. Duke shikuar edhe anën ekonomike të tyre, si për Edonin, edhe për Bekimin, ata nënshkruan kontratë që në atë moshë. Balaj arriti të përshtatej shumë shpejt, ndërsa Hasani ishte lojtari më i ri që ka luajtur në Superligë, afro 15 vjeç.

A kishte skeptikë në atë kohë për Balajn?

Po, ka pasur mjaft njerëz që thoshin se Vllaznia nuk duhet të mbahet nga lojtarë 18 vjeç, të cilët duhet të kalojnë disa stade. Por, edhe pse në moshë të re, Bekimi shënoi disa gola shumë të rëndësishëm. Madje, menaxheri Dritan Gjyrezi më njoftoi se klubi turk Gençlebirligi e kërkonte. Pas kaq kohësh, mendoj se skeptikët e kanë marrë përgjigjen e tyre.

Çfarë keni vënë re, kur ju e drejtonit dhe tani, te ky lojtar?

Në fillim ka qenë një lojtar që luante më shumë me shpinë nga porta dhe nuk e kërkonte topin në zona boshe. Së bashku me Elvis Plorin kemi punuar mjaft me të, duke e mbajtur 45 minuta pas çdo stërvitjeje. Një prej çudive të mia ka qenë se pse trajneri Shpëtim Duro nuk e grumbullonte te Kombëtarja U-17, edhe pse bënte pjesë në ekipin e parë në atë kohë.

Gjithsesi, personi që ka ndihmuar më shumë në karrierën e Bekimit është presidenti Valter Fushaj, i cili në atë periudhë firmosi kontratë profesioniste me 11 lojtarë nën 19 vjeç.

A besonit ju për ecurinë e deritanishme të këtij lojtari?

Pavarësisht se kishte probleme taktike dhe teknike në atë kohë, me stërvitje të specializuar, isha i bindur që do të bëhej një golashënues i mirë.

Çfarë e karakterizon më tepër këtë lojtar?

Është një lojtar me një thjeshtësi në punë e në jetë. Një djalë punëtor dhe pa fjalë. Me një karakter sportiv, që ka notën 10.