Aktuale

A e keqpërdori kryeministri AKP-në për demarkacionin me Malin e Zi?

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duket se i ka keqpërdorur përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për demarkacionin me Malin e Zi. Mustafa ka takuar ata të premtën për të theksuar se asnjë pronë e menaxhuar nga AKP-ja nuk ka mbetur jashtë vijës kufitare. Megjithatë, pas insistimit të KosovaPress-it, në AKP thonë se kjo agjenci anjëherë nuk ka menaxhuar apo shitur pyje apo bjeshkë.

Një takim në mes kryeministrit Mustafa dhe drejtorit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashit dhe drejtorit menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, ka ndodhur të premten . (http://www.kosovapress.com/sq/… )

Aty thuhet se është diskutuar në detaje për pronat e AKP-së të cilat ndodhen në brezin kufitar me Malin e Zi, në funksion të nxjerrjes së argumenteve dhe sqarimit të procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas komunikatës së Qeverisë, gjatë takimit me drejtuesit e AKP-së, u theksua se asnjë pronë e menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mbetur jashtë vijës kufitare të shënjuar nga Komisioni Shtetëror.

“Përfaqësuesit e AKP-së kanë prezantuar edhe dokumentet dhe hartat e plota të pronave që ndodhen brenda vijës kufitare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve KosovaPress i ka dërguar pyetje AKP-së për të ditur se sa pyje janë privatizuar deri më tani nga AKP, si dhe sa pyje, përfshirë edhe ndonjë fushë në bjeshkë, janë akoma të paprivatizuara dhe kush menaxhon me pyjet e Kosovës?.

Zyra për marrëdhënie me publik dhe media në AKP, nëpërmjet postës elektronike i ka thënë KosovaPress-it se Pyjet dhe bjeshkët e Kosovës i menaxhon Agjencia Pyjore e Kosovës (AKP), e cila agjenci dihet se është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Sa për informimin tuaj me Pyjet e Kosovës Menaxhon Agjencia Pyjore e Kosovës (AKP) e cila Agjenci është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka shitur pyje, bjeshkë etj…”, thuhet në përgjigjen e AKP-së. /KosovaPress/