Aktuale

E vështirë ‘paqja’ pozitë – opozitë

Pozita dhe opozita nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për tema të mëdha, pavarësisht pjesëmarrjes në tryeza të rrumbullakëta me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve.

Njëri nga pjesëmarrësit në këto takime, kryetari i Këshillit të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, ka thënë se takimi pozitë – opozitë nuk ka kaluar mirë.

“Takimi nuk mund të thuhet se kaloi mirë përderisa nuk ka ndonjë rezultat, veç gatishmërisë për të bërë ‘llafe pa bukë’. Kjo edhe për faktin se përfaqësuesit e partive të koalicionit nuk kanë kompetenca vendimmarrëse”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Zëri”.

Më tej ai thekson se për çështjet kryesore, të cilat u bisedua në takim, nuk është parë vullnet politik nga palët pjesëmarrëse. “Për çështjet kryesore, për të cilat u bisedua, nuk shihet ndonjë vullnet politik për t’i zgjidhur problemet që kërkojnë konsensus nacional. Prandaj nuk ka ndonjë përafrim”, ka përfunduar Krasniqi.