Rajon & Botë

Egjipti shpall gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj

Presidenti i Egjiptit Abdulfettah es-Sisi ka njoftuar se në Egjipt është shpallur gjendje e jashtëzakonshme pas sulmeve me bomba që shënjestruan dy kisha në Aleksandria dhe Tanta në veri të vendit.

Në një deklaratë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes të cilin Sisi e realizoi pas sulmeve ndaj kishave gjatë ditës së djeshme, presidenti egjiptian theksoi se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për një periudhë tremujore në mënyrë që të bëhen procedurat e nevojshme ligjore në lidhje me sulmet.

Sisi po ashtu ka njoftuar se do të themelohet edhe Këshilli i Lartë Kundër Terrorizmit, i cili do t’i ketë të gjitha kompetencat në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

Ndryshe, si pasojë e sulmeve që dje goditën Aleksandrian dhe Tantan, u bë e ditur se jetën e kanë humbur 43 persona, kurse 119 janë plagosur.Sipas një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë së Egjiptit, si rezultat i shpërthimit të parë që shënjestroi kishën Shën Gjorgji në qytetin Tanta jetën e humbën 27 persona, kurse 78 mbetën të plagosur.

Ndërkaq, numri i të vdekurve në shpërthimin e dytë në afërsi të kishës Shën Marku në Aleksandria ishte 16, ndërsa ai i të plagosurve 41.
SHBA dënon sulmet në kisha në Egjipt
Duke i cilësuar sulmet e kryera në kishën Shën Gjorgji në qytetin Tanta dhe në kishën Shën Marku në Aleksandria si “barbare”, në deklaratën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA)thuhet: “Shprehim ngushëllimet tona për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për të plagosurit”.

Në deklaratë po ashtu thuhet se “SHBA do të vazhdojë të mbështesë sigurinë e Egjiptit dhe përpjekjet e tyre për ta luftuar terrorin”.
Indonezia dënon sulmet në Egjipt

Në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Indonezisë thuhet se Indonezia dënon sulmet terroriste në qytetet Aleksandria dhe Tanta të Egjiptit. Indonezia solidarizohet me qeverinë egjiptiane dhe me popullin e saj.