Sport

Ekipi i notit të Kosovës e mbyll eksperiencën e zbehtë në “Baku 2019”

Ekipi i notit që po e përfaqëson Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Baku 2019”, i ka mbyllur sot garat.

Hana Fejzullahu ishte notarja e fundit që garoi sot në “Baku 2019” në disiplinën 800 metra stil i lirë.

Ajo e pati kohën 10.20.03, që nuk i mjaftoi për t’u kualifikuar tutje.

Sot garuan edhe Jona Macula dhe Elona Zhugolli në 50 metra stil i lirë, të cilat përmirësuan rekordet e tyre personale, por që nuk u kualifikuan më tej.

Sporti i notit në “Baku 2019” u përfaqësua edhe me notarët, Olt Kondirolli dhe Vigan Bytyqi, të cilët garuan në disiplina të ndryshme, kryesisht të stilit të lirë.

Suksesi i vetëm i notarëve tanë ishin thyerja e rekordeve personale dhe atyre të Kosovës.

Garat e notit edhe sot u përcollën nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani, nënpresidenti Gazmend Maxhuni dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj.

the authorBurbuqe Metolli