Arsim & Kulturë

Ekspozohet kostumi i Nënë Terezës

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Zhvillim Rajonal çelin sot në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Trashëgimi kulturore nga vendi i Nënë Terezës”.

Në këtë ekspozitë, e para e këtyre përmasave në Tiranë, do të ekspozohet për herë të parë për publikun, kostumi popullor i Shenjtores Shqiptare. Bëhet fjalë për një kostum me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit (vendi i origjinës së Nënë Terezës), që ajo e mbante në moshën 16-17 vjeçare. Kostumi përbëhet nga këmisha; copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtra qëndistarë të këtij qyteti, shalli dhe dimitet. Për më shumë rreth historisë së këtij kostumi, i cili ruhet në Fondet Etnografike të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit do t’ju shpjegojë kuratorja e kësaj ekspozite, prof. dr. Afërdita Onuzi.

Pjesë tjetër e ekspozitës janë 54 objekte të tjera, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike-ekonomike-tregtare dhe kulturore shqiptare të shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, respektivisht Shkodrës (vendlindja e babait të Nënë Terezës) dhe Prizrenit (vendlindja e nënës së Nënë Terezës). Njëkohësisht, nëpërmjet objekteve që do të ekspozohen, do të paraqiten aftësitë teknike-artistike të mjeshtrive tradicionale qytetare të zhvilluara në keto qendra (Shkodra dhe Prizreni).

Midis tyre spikatin: Stoli grash dhe burrash prej ari dhe argjendi; armë; pjesë veshjesh dhe veshje të plota; pëlhura të mëndafshta per pajisjen e banesës dhe veshjeve të ndryshme; qëndisje të realizuara nga gra qytetare si çarçafë, këllëf jastëkësh, këmisha etj. Objekte kryesisht të përdorura nga popullsia e besimit të krishterë. /Gazeta Shqiptare/