Aktuale

Emergjenca e QKUK-së kërkon ndihmë nga stafi mjekësor i FSK-së

Mungesa e stafit të mesëm dhe numri i shumtë i pacientëve në Qendrën Emergjente në QKUK, ka bërë që drejtues të kësaj qendre të kërkojnë ndihmë nga Divizioni i Shëndetësisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë qendër brenda 24 orëve është rreth 300, ndërsa ka mungesë të madhe të infermierëve, tha për Radio Kosovën drejtori i kësaj qendre, Basri Lenjani.

Në stinën e verës Qendra Emergjente e QKUK-së po përballet me fluks të shumtë të pacientëve që kërkojnë trajtim mjekësor. Drejtori i emergjencës, Basri Lenjani thotë se përveç mungesës së materialit shpenzues, shqetësues është fakti i mungesës së infermierëve, për çka edhe është kërkuar ndihmë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

‘’Kur fillojnë muajt e verës dhe me ardhjen e njerëzve tanë që punojnë në shtetet e perëndimit ky numër mund të arrijë përafërsisht deri në 300 brenda 24 orëve. Mirëpo, unë i kam kërkuar ndihmë Forcës së Sigurisë-Divizionit të Shëndetësisë dhe ata na i kanë dërguar disa infermierë të cilët do të na ndihmojnë dhe janë pa pagës, janë vullnetarë të paktën që deri në muaji shtator të bëjmë një zgjedhje afatgjate’’.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjoci është në dijeni për këtë çështje, por siç thotë ai nuk është në kompetenca të SHSKUK-së ta zgjidhë këtë problem.

“Ne kemi mungesa ekstrem të infermierëve do të thotë vetëm aktualisht na mungojnë mbi 300 infermierë që do të na duheshin, ndërsa për gjithë SHSKUK-në mbi 500. Po e shfrytëzoj si rast që të apelojë për të gjitha strukturat vendimmarrëse që të na lejojnë staf infermierësh, në mënyrë që ne të ofrojmë shërbime sa më cilësore për gjithë qytetarët e vendit”.

Vetëm Qendrës Emergjente i nevojiten 20 infermierë, të cilët do të ofronin ndihmë dhe shërbime më cilësore, tha Lenjani.

the authorE B