Rajon & Botë

Erdogan: Autorët e sulmit kimik në Duma do ta paguajnë rëndë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se përgjegjësit e sulmit të fundit kimik në Duma do të japin llogari dhe do të paguajnë çmim të lartë.

“E dënoj këtë masakër në Gutën Lindore dhe Duma. Kushdo që e ka bërë, autorët e kësaj masakre do të japin llogari dhe do të paguajnë çmim të lartë për këtë”, tha Erdogan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij (AK Parti) në Ankara.

Presidenti turk tha se është duke i vazhduar kontaktet në lidhje me këtë zhvillim, duke rikujtuar një bisedë të djeshme telefonike me homologun rus Vladimir Putin.

Forcat e regjimit të Bashar Asadit goditën disa objektiva në qarkun Duma të Damaskut të shtunën në mesnatë, duke përdorur një gaz helmues, i cili sipas mbrojtjes civile la të paktën 78 civilë të vdekur.

Erdoğan tha se gjithsej 4.071 terroristë janë neutralizuar që nga fillimi i operacionit antiterrorist “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë.

“Lufta jonë (kundër terrorizmit) do të vazhdojë deri në eliminimin e terroristit të fundit,” shtoi Erdogan.

the authorSamir Dalipi