Rajon & Botë

Erdogani po e kthen mbrapa për vite të tëra integrimin në Gjermani

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan – i cili e akuzoi javë më parë kancelaren gjermane, Angela Merkel, se po aplikon metoda naziste kundër turqve në Gjermani – është duke e kthyer mbrapa me vite të tera integrimin në Gjermani, ka thënë sot Ministri i Financave i Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble.
Berlini është duke u zemëruar dita ditës me akuzat e vazhdueshme të Erdoganit se Gjermania po përdor metoda naziste duke i ndaluar tubimet që kanë për qëllim sigurimin e përkrahjes në mesin e turqve në Gjermani për referendumin i cili mund t’ia shtojë pushtetin presidencial Erdoganit, transmeton Express.

“Retorika e Erdoganit më çudit. Në një periudhë të shkurtër kohore, do ta shkatërrojë pa dashje integrimin i cili është rritur përgjatë viteve në Gjermani. Ndërsa do të duhen vite të tera për riparimi i dëmit,” ka thënë Schaeuble për “Welt am Sonntag”.

Të dielën e kaluar, Erdogani tha në një fjalim: “Merkel, tash ti po aplikon metoda naziste kundër vëllezërve të mi që jetojnë në Gjermani dhe kundër ministrave dhe ligjvënësve të mi që e vizitojnë vendin tuaj.”/Express/