Tech

Facebook ndihmon përdoruesit lidhur me ndërhyrjen ruse në presidencialet amerikane

Rrjeti social Facebook njoftoi të mërkurën se do t’i mundësonte përdoruesve të tij informacionin nëse kanë qenë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve në Facebook apo Instagram që lidhen me ndërhyrje të ndryshme nga Rusia gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2016.

”Një mekanizëm i ri do të startojë deri në fund të vitit”, premtoi rrjeti social që shtoi se do të bënte të ditur nëse është ‘’pëlqyer’’ apo ‘’ndjekur’’, mes janarit 2015 dhe gushtit 2016, faqe apo llogari të ‘Internet Research Agency’, një shoqëri e lidhur me shërbimet sekrete ruse dhe e akuzuar për publikimin e mijëra mesazheve për të influencuar në fushatën që çoi në zgjedhjen e Donald Trump në nëntorin e 2016.

“Është e rëndësishme që individët të informohen sesi ndërhyrës të huaj janë përpjekur të mbjellin ndarjen dhe mosbesimin duke përdorur Facebook përpara dhe pas zgjedhjeve amerikane të 2016”, shkruan Facebook.

Krijimi i këtij instrumenti të ri vjen pasi Facebook dhe gjigantë të tjerë të internetit u denoncuan nga Kongresi amerikan për lejimin e transmetimit të përmbajtjeve të postuara ”online” nga interesa rusë dhe për vonesën e reagimit përballë kësaj fushatë influencuese.

”Në total, rreth 150 milionë përdorues të Facebook dhe të Instagramit kanë parë përmbajtje të krijuara nga operatorë rusë për të influencuar presidencialet”, kishte pohuar drejtori juridik i Facebook, Colin Stretch, gjatë një seance dëgjimore parlamentare kushtuar rolit të rrjeteve sociale në fushatë.