Aktuale

Fajon: Të gjithë në Bruksel e presin miratimin e demarkacionit, vizat hap pas hapi

Dhuna dhe incidentet në Kosovë mund të krijojnë vështirësi në Bruksel kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave. Kështu ka thënë raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon. Këto deklarime i ka bërë në prag të votimit të demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend.

Fajon ka shtuar se demarkacioni mund të garantojë përparim në procesin e liberalizimit të vizave, mirëpo kjo ndodhë nëse raportohet pozitivisht për demarkacionin nga Prishtina.

“Të shohim fillimisht si do të shkojë votimi për demarkacionin. Sidoqoftë, besoj se do të marrim rezultat pozitiv dhe kjo është ajo që ne të gjithë e presim në Bruksel. Nuk dua të spekuloj për liberalizimin e vizave në Kosovë, kjo shkon hap pas hapi”, ka thënë Fajon për REL, transmeton Gazeta Express.

Tanja Fajon është pjesë e Komisionit Europian për heqjen e vizave për Kosovën.

Opozita kosovare ende beson se marrëveshja e Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi do t’i shkaktojë vendit humbjen e 8 mijë hektarëve tokë.

Seanca e demarkacionin është planifikuar të mbahet të enjten më 1 shtator.