Arsim & Kulturë

Fakulteti i Arkitekturës në AAB, pjesë e projektit amerikan “Urban Data Kosovo” të Massachusetts Institute of Technology

Fakulteti i Arkitekturës i Kolegjit AAB do të jetë pjesë e projektit “Urban Data Kosovo”, projekt ky i financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe i administruar nga KUSA, e që është organizuar nga KAF (Fondacioni Kosovar për Arkitekturë).

Me rastin e fillimit të realizimit të projektit, rektori Bujar Demjaha dhe përfaqësues të Fakultetit të Arkitekturës të Kolegjit AAB, pritën në takim përfaqësuesen e Qendrës për Urbanizëm të Avancuar nga Massachusetts Institute of Technology (MIT), profesoreshën Sarah Williams, si dhe z.Bekim Ramku, drejtor i OJQ KAF (Fondacioni Kosovar për Arkitekturë).

Objektiv kryesor i “Urban Data Kosovo” është shkëmbimi i ekspertizës së urbanizmit të avancuar nga hulumtues dhe staf akademik të MIT-së me stafin akademik të fakulteteve të arkitekturës në Kosovë. Qëllimi i këtij programi është të sjellë njohuri të reja mbi mbledhjen e të dhënave urbane, trajnimin dhe shkëmbimin e informacionit në universitetet e Kosovës.

Projekti tani më ka filluar, dhe si fazë e parë është takimi i liderëve të projektit me institucionet që do të përfshihen në këtë projekt. Faze përcjellëse e projektit është vizita e stafit akademik kosovar në SHBA, në qendrën për urbanizëm të avancuar, MIT; duke vazhduar me disa punëtori javore në Kosovë ndërsa i gjithë projekti është planifikuar të përfundojë në korrik 2022.

Si rezultat kryesor i këtij projekti është reflektimi në kurrikulat ekzistuese në fakultetet e arkitekturës në Kosovë, në veçanti lëndët e urbanizmit, me fokus në integrimin e mjeteve dhe metodologjive bashkëkohore analitike hapësinore.