Aktuale

Familjarët e ‘gylenistit’ ikin nga Kosova, kërkojnë azil në Gjermani

Bashkëshortja dhe dy djemtë e Mustafa Erdemit, drejtor i kolegjit “Mehmet Akif”, i arrestuar dhe i dëbuar muaj më parë për në Turqi, kanë ikur nga Kosova dhe besohet se kanë kërkuar azil në Gjermani.
Largimin e tyre nga vendi e kanë konfirmuar për “Zërin” koordinatori i Kolegjit, si dhe avokati mbrojtës. Ambasada Gjermane është deklaruar se nuk mund t’i konfirmojë këto informata.

Arrestimi dhe dëbimi për në Turqi i Mustafa Erdemit, drejtor i kolegjit “Mehmet Akif”, ka bërë që familjarët e tyre të mos ndihen të sigurt në Kosovë pavarësisht premtimit të kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria të cilën ai e drejton do të kujdeset për ta.

Pikërisht për shkak të frikës së mund të ekstradohen për në Turqi në të njëjtën mënyrë si kryefamiljari i tyre Mustafa Erdem, bashkëshortja dhe dy djemtë e tij tashmë janë larguar nga Kosova.

Burime të gazetës Zëri bëjnë të ditur se bashkëshortja dhe dy djemtë e Mustafa Erdemit ndodhen në Gjermani, në të cilën besohet se kanë kërkuar azil.