Aktuale

Fermerët e Ferizajt duan kompensim nga komuna pas dëmeve të sëmundjes gungore të kafshëve

Fermerë të komunës së Ferizajt kanë kërkuar nga komuna përkrahje për kompensim të kafshëve që kanë ngordhur nga sëmundja gungore, shkruan sot Koha Ditore.

Këto ankesa fermerët tashmë zyrtarisht i kanë adresuar edhe në Komunë prej më shumë se 15 ditësh, mirëpo ende nuk kanë marrë përgjigje. Shukri Maliqi, qytetar nga Ferizaj, është ankuar se lopa e vetme i kishte ngordhur, ndërkohë nuk ka mundësi financiare ta blejë sërish një të tillë. “Nga sëmundja gungore jemi dëmtuar, sepse lopa e vetme më ka ngordhur, ndërkaq tashti nuk po kemi mundësi financiare ta blejmë një tjetër.

Fëmijët i kemi ushqyer me qumësht të lopës, e tashti nuk po kemi para për të blerë në market, sepse nuk jemi askush të punësuar, prandaj kërkojmë nga Komuna të na mbështesë në kompensim, sepse në të vërtetë jemi në gjendje të rëndë ekonomike”, ka kërkuar Maliqi. Ndërkaq Artan Pajaziti, fermer i lopëve nga Ferizaj, ka thënë se ka kërkuar nga Komuna t’ia bëjë kompensimin e dy lopëve të cilat i kanë ngordhur nga sëmundja gungore, mirëpo prej më shumë se 15 ditësh nuk ka marrë asnjë përgjigje.