Rajon & Botë

Ferri i flakëve në Kaliforni, shkon në 23 numri i viktimave

Numri i viktimave të shkaktuara nga zjarret masive shkatërrimtare në Kaliforni shkoi në 23 gjatë së shtunës, teksa punonjësit e kërkim-shpëtimit zbuluan më shumë trupa të pajetë njerëzish, viktima të “ferrit të fundsezonit”.
Zjarrfikësit luftuan me zjarre të ndezura nga të dyja anët e shtetit, qoftë në Butte County, ashtu dhe në Los Angeles, prej nga ku raportohet për dy të vdekur si pasojë e zjarreve.
Gjithsesi, shumë pak shpresa ka se flakët do të mund të përmbahen në një të ardhme të afërt, pasi Shërbimi Kombëtar Meteorologjik njoftoi se erërat e forta dhe thatësira e ajrit do të vijonin edhe përgjatë fundjavës.

“Sot, 14 trupa të tjerë janë lokalizuar, gjë që e çon numrin total të të vdekurve në 23”, tha sherifi i kantonit Butte, Kory Honea, gjatë një konference për mediet të së shtunës vonë.

Tymi i tmerrshëm i zjarreve mbuloi qiellin për kilometra të tëra, duke e bërë diellin thuajse të pavëzhgueshëm. Në terren, makina të shumta morën flakë dhe u kthyen në mbetje metalike për skrap, ndërsa edhe linjat e energjisë elektrike u prekën nga flakët.

Urdhërevakuime të detyrueshme u lëshuan për mbi 52 mijë banorë të zonës. Në qytetin Paradise (Parajsa), më shumë se 6.700 godina, përfshi një spital, një karburant, si dhe disa restorante, u përpinë nga flakët.

Presidenti Donald Trump, i cili ndodhet në Francë për ceremonitë në kuadër të 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore, u pushtua nga kritikat për reagimin aspak simpatik ndaj këtij shkatërrimi.

“Nuk ka asnjë arsye tjetër për këto zjarre masive, vdekjeprurëse dhe të kushtueshme nëpër pyjet e Kalifornisë, përveçse nga keqmenaxhimi pyjor”, shkroi Trump në “Twitter”. “Miliarda dollarë jepen çdo vit, por shumë jetë humben, gjithçka për shkak të keqmenaxhimit të pyjeve. Korrigjohuni tani, ose nuk keni për të parë më parà nga Rezerva Federale”./TCH