Arsim & Kulturë

Festivali DAM nga sot shfaq 20 koncerte

Sot fillon edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit ndërkombëtar të muzikës DAM, hapja e tij do të bëhet nga ora 19:30 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, i cili do të vazhdojë deri me 26 shtator.

Ky festival bashkon muzikantët nga shumë vende, posaçërisht nga Evropa, ku këtë radhë do të jenë të pranishëm interpretues nga Manheim, në Gjermani, por nuk do të mungojnë as muzikantët vendorë të cilët janë të shumtë.

Drejtoresha e festivalit DAM, Rreze Kryeziu-Breznica, në një konferencë për shtyp tha se në festival do të ketë më shumë se 100 interpretues dhe instrumentistë, dhe festivali do të përmbajë 20 koncerte dhe 9 punëtori. Si të ftuar të veçantë ajo përmendi trio-në nga solistët e Manheim-it të cilët konsiderohet të kenë performancën më të veçantë gjatë këtij festivali, mirëpo ajo nuk përjashtoi edhe mundësinë që gjatë festivalit do të ketë edhe muzikë xhaz edhe pse ky është festival i muzikës klasike.

“Të gjitha koncertet do fillojnë prej orës 19:30 në sallën e kuqe te Pallati i Rinisë, përveç një koncerti, është koncerti i kitaristit tonë Agron Peni i cili do të mbahet në teatrin Oda. Në festival do të parakalojnë mbi 100 performues – instrumentist dhe do të ketë diku gati 20 koncerte dhe 9 master klase ose ëorkshop-e. Nesër në hapje të festivalit do të kemi dy artistë të rinj Dardan Zhegrovën dhe Lola Sylën me një performancë të tyren. Tutje do të vazhdoj kori i flautistëve nën drejtimin e profesorë Ljubishës…do të vazhdojmë me një trio me solistët e Manheimit të cilët do të kenë një performancë ndër më të veçantën në kuadër të festivalit. Festivali DAM ka edhe një diversitet stilesh ne nuk jemi fokusuar vetëm në klasikë edhe pse ky ka qenë misioni ynë por nga klasiku deri në xhaz muzikë bashkëkohore do të keni mundësi të ndiqni edhe në edicionin e 11-të të këtij festivali”, tha Kryeziu-Breznica.

Ndërkohë udhëheqësi artistik njëkohësisht edhe flautist, Ljubisa Jovanovic, tha që me përfaqësuesit e këtij festivali është takuar për herë të parë gjatë akademisë muzikore evropiane ndërsa takimin me flautistët nga Kosova e cilëson si ‘dashuri në shikim të parë’./KosovaPress/