Arsim & Kulturë

Filloi semestri veror 2020/21 në Kolegjin AAB

Nën përkujdesje të rreptë për respektimin e masave anti-Covid19, sot në Kolegjin AAB filloi semestri veror 2020/21 për studentët e nivelit bachelor.

Edhe ky semestër për studentët e Kolegjit AAB, në të tre degët e tij: Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë, si për të gjithë studentët anekënd globit do jetë më ndryshe për shkak të situatës pandemike.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Dr.sc. Bujar Demjaha, u është drejtuar të gjithë studentëve, stafit akademi, administrativ e teknik me një mesazh në këtë ditë të veçantë.

Mesazhi i rektorit Bujar Demjaha:

Të nderuar studentë, mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë,

Kam kënaqësinë që kësaj radhe t’ ju drejtohem sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dhe menjëherë pas Ditës së Mësuesit 7 Marsit, duke ju uruar të dy festat e rëndësishme për ne, familjet tona dhe shoqërinë në përgjithësi.

Për neve në Kolegjin AAB, dita e sotme e ka edhe një veçanti tjetër, sepse sot po e fillojmë semestrin veror të vitit akademik 2020/21.

Nëse Kolegji AAB e ka studentin në qendër të vëmendjes, rrjedhimisht studenti i ka studimet në qendër të vëmendjes. Në këtë drejtim institucioni ynë ka bërë përgatitjet duke iu përshtatur maksimalisht kërkesave të studentit.

Kolegji AAB me të gjitha kampuset ne Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë dallohet me infrastrukturë me të cilën të gjithë së bashku mburremi. Si rrallë ndonjë institucion i arsimit të lartë, ne e kemi vendosur në masën më të madhe mësimin në objekte por detyrimisht një pjesë e mësimit mbetet të realizohet nga distanca, e disa grupe mësimin ta mbajnë edhe të dielave. Është gjendje e jashtëzakonshme dhe presim mirëkuptim nga të gjithë, stafi akademik e në veçanti nga studentët të kenë mirëkuptim dhe të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

Të gjithë, pa dallim duhemi t’ i respektojmë masat e qeverisë sonë të cilat kanë për qëllim parandalimin e zgjerimit të pandemisë. COVID-19 me të gjitha format e reja të tij është ende në mes nesh. Secili nga duhet t’ i respektojmë masat jo vetëm për arsye që ligjërisht obligohemi por edhe me qëllim të mbrojtjes së më të dashurve që i kemi në shtëpi dhe më gjerë.
Studenti dhe mësimdhënësi është i obliguar që të:

– mbajë distancën,
– mbajë maskën si duhet tërë kohën sa qëndron në objekt. Mësimdhënësi mundet të largojë maskën kur ligjëron nëse mbanë distancën minimum 2m
– të pastrojë dhe dezinfektojë me rregull duart

Studentët janë përgjegjës për veprimet e veta, mësimdhënësi është përgjegjës për rregullin në sallë të mësimit kurse dekanatet janë përgjegjës për respektimin e masave të studentëve dhe mësimdhënësve të tyre në tërë objektin e në veçanti në salla të mësimit. Jemi në proces të akreditimit dhe riakreditimit të disa programeve dhe do të kemi vizita nga Agjencia Kosovare për Akreditim. Kjo është edhe një arsye që të performojmë sa më mirë që është e mundur.

Prorektori për mësim në përkrahje të tërë rektoratit do ta monitorojnë situatën me shpresë se nuk do të detyrohemi të ndërmarrim masa në këtë drejtim.

E kaluam një semestër me përplot turbulenca si në aspektin shoqëror ashtu edhe social e në veçanti politik. Uroj që të keni kaluar mirë dhe të keni arritur rezultatet e pritura në afatin e provimeve që e lëmë pas. Shpresojmë se me përmirësimin e motit do të vijnë ditë më të mira për të gjithë shoqërinë kosovare.

Në fund, më lejoni të ju uroj të gjithëve fillimin e semestrit veror e mbi të gjitha të jeni ju shëndosh por edhe familjarët dhe shoqëria juaj.

Bujar Demjaha,
Rektor i Kolegjit AAB