Arsim & Kulturë

Filmi “Teuta nuk jeton më këtu”, rrezikon të mbetet film turk, kosovarët e mbështetën më 146 euro

Ky film me skenar të Enver Petrovcit e regji të regjisorit turk Murat Vala Derman ka kushtuar 950 mijë euro, dhe për të qenë në kooproduksion me shtetin e Kosovës, producentët nga Turqia kanë kërkuar 10 % të shumës totale. Enver Petrovci ka thënë për KultPlus se thirrjes publike për ti dalë në ndihmë këtij filmi që të mos mbetet film turk, i janë përgjigjur qytetarët me shumën prej 146 eurove.

Filmi i cili i kushtohet 20 mijë femrave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë dhe pasojave të familjeve të tyre, rrezikon të mbetet projekt i prodhuar vetëm nga shteti i Turqisë. Edhe pse skenari i filmit “Teuta nuk jeton më këtu”, është shkruar nga aktori kosovar Enver Petrovci, ai nuk gjeti mbështetje financiare nga institucionet kulturore në vend e as nga qytetarët e Kosovës.

Para ca muajsh aktori Enver Petrovci, pati publikuar një video në rrjetin social facebook, ku kërkonte ndihmën e qytetarëve të Kosovës që ky film të mos mbetet film turk, kërkesë kjo përmes Postës dhe Valës së Kosovës, por edhe kjo kërkesë shkoi në vesh të shurdhër. Për KultPlus, skenaristi i filmit “Teuta nuk jeton më këtu”, Enver Petrovci, tregoi se përgjatë pesë muajve sa ka qenë e hapur kjo kërkesë për mbledhjen e fondeve, janë grumbulluar vetëm 146 euro.

“Vetëm 146 euro janë mbledhur dhe këto para do ua kthej të gjithë atyre që kanë kontribuar. Vala më ka thënë që është e mundur t’ua kthej përmes impulseve. Nuk e di ende se çfarë do të bëhet me film, unë do të tentoj përsëri, sepse i kam thënë regjisorit që mos ta shfaqë premierën”, tha Enver Petrovci për KultPlus.

Ky film me regji të Murat Vala Derman ka kushtuar gjithsej 950 mijë euro, ndërsa nga skenaristi Enver Petrovci janë kërkuar vetëm 100 mijë euro, që i bie vetëm 10% e investimit që kërkon ky film. “Teuta nuk jeton më këtu”, sjellë në kastën e aktorëve kosovarë: Lumnije Muçaj, Enver Petrovci, Xhejlane Tërbunja, Agron Shala, Labinot Lajci, Selman Lokaj…, sikurse që janë përfshirë edhe shumë statistë.