Aktuale

Fitore Pacolli: Ofendimi i Aidës i papranueshëm, s’ka parti pa Albinin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu gjatë ditës së sotme është pozicionuar pro Albin Kurtit e kundër Aida Dërgutit. Një veprim të ngeshëm e ka bërë edhe deputetja Fitore Pacolli. Ajo në një status në Facebook ka thënë se ofendimi që Aida i ka bërë Albinit është i papranueshëm dhe nuk mund të arsyetohet.

“Ne jemi Lëvizje që lëvizim, zhvillohemi dhe asnjëherë nuk nënshtrohemi. Vetëm kështu arritëm ku jemi sot pra subjekti më i madh dhe më demokratik në vend. Por kjo rritje ka ardhur me përgjegjësi të cilën duhet ta dëshmojmë me punë dhe maturi.
Ofendimi që Aida i ka bërë Albinit është i papranueshëm dhe nuk mund të arsyetohet”, ka shkruar ajo.

Pro Albin Kurtit deri më tash kanë dalë deputetët Albulena Haxhiu, Xhelal Sfecla, Fatmire Kollqaku, Liburn Aliu.

Kurse, Fisnik Ismaili, Dardan Molliqaj, Faton Topalli dhe Shqipe Pantina, janë pozicionuar pro Aida Dërgurit

Ende nuk janë deklarur Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu dhe grupi tjetër i përkrahësve të Aida Dërgutit.

Ndërkohë, përplasjet ndërmjet udhëheqësve të Vetëvendosjes dolën kur u publikua një komunikim i deputetes Aida Dërguti, e cila e quan mut Albin Kurtin.
Sidoqoftë, Molliqaj, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina i kanë dalë në krah deputetes Aida Dërguti, e cila kërkoi falje pse Kurtin e quajti mut derisa tha se ka mospajtime të thella brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas kësaj, Xhelal Sveçla, njëri prej njerëzve të afet të Kurtit, foli për shantazhe ndaj Albin Kurtit për të mos lejuar kandidimin e tij për Kryetar Partie. Tha se s’mund ta ndalë askush rrugën e Kurtit drejt rikthimit në krye të Vetëvendosjes.

Shpend Ahmeti e Dardan Molliqaj në zgjedhjet e fundit kishin krijuar një grup duke lënë nën hije grupin e Albin Kurtit. Madje, Molliqaj e Ahmeti kishin arritur të shkelnin edhe Kryetarin e VV’së, Visar Ymerin, duke dalë para tij me vota. Grupi i Ahmetit dhe Molliqajt kishte shkelur edhe më shumë njeriun më të afet të Kurtit, Glauk Konjufcë, duke e lënë të shtatin me numër të votave.

Ndërkohë, ende asnjë fjalë s’e ka thënë Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu. Liburn Aliu ka shpërndarë në FB qëndrimin e Sveçlës, në të cilën dekonstruktohet përpjekja për rrëzimin e Kurtit.

Qëndrim për këtë s’ka dhënë as ish-Ministri në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Rexhep Selimi, aktualisht deputet i VV’së

Ky është reagimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Të dashur aktivistë, mbështetës, simpatizues dhe ju kritikë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja dallon shumë nga partitë tjera në Kosovë qoftë nga mënyra e organizimit dhe funksionimit apo nga puna e palodhshme dhe sakrifica që është bërë nga të gjithë aktivistët pa dallim.

Ne kemi kultivuar demokraci të brendshme e cila nuk është aplikuar në asnjë parti tjetër. Dhe për këtë duhet të jemi krenar e të vendosur të punojmë që demokracia në Lëvizjen tonë të përmirësohet tutje sepse vetëm kështu vazhdojmë të zhvillohemi si Lëvizje për të cilën ka shumë nevojë vendi ynë.

Ne jemi Lëvizje që lëvizim, zhvillohemi dhe asnjëherë nuk nënshtrohemi. Vetëm kështu arritëm ku jemi sot pra subjekti më i madh dhe më demokratik në vend. Por kjo rritje ka ardhur me përgjegjësi të cilën duhet ta dëshmojmë me punë dhe maturi.

Ofendimi që Aida i ka bërë Albinit është i papranueshëm dhe nuk mund të arsyetohet.

Së pari, ne si deputetë të Lëvizjes dhe përfaqësues të popullit natyrisht se mund të kemi mendime dhe qëndrime të ndryshme. E për më tepër ne jemi persona politikë të përgatitur për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen Lëvizjes dhe të vendit tonë. Por, qëndrimet tona duhet të thuhen hapur dhe jo të fyejmë prapa shpinës. Ne si aktivistë të Lëvizjes nuk duhet të praktikojmë këtë mënyrë të shprehjes së mospajtimeve që kemi.

Së dyti, diskutimet dhe qëndrimet tona duhet të jenë parimore pa ofendime dhe lincime sepse vetëm kështu mund të realizojmë idealet e Lëvizjes. Ne duhet të vazhdojmë të ballafaqojmë hapur idetë dhe qëndrimet tona. Gjuha denigruese duhet të kritikohet pavarësisht a përdoret nga burrat apo gratë.

Dhe për fund ne aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, e kemi për obligim ta mbrojmë Lëvizjen dhe të punojmë që ta zhvillojmë tutje. Por këtë nuk mund ta bëjmë pa Albinin i cili me visionin, parimësinë, këmbëngulësin e intelektin a tij e pa dyshim me ndihmën e secilit aktivist ka sjellë Lëvizjen këtu ku është sot”. ka shkruar ajo në Facebook.