Aktuale

Fleckenstein: Nuk negocioj me Bashën, deputetët e kanë vendin në Parlament

Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka mbërritur këtë të martë në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare, lidhur me raportin për Shqipërinë në PE.

Takimet e para Fleckenstein i ka pasur me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Donald Lu dhe atë të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin.

Më pas ai është ndalur tek çadra e ngritur në bulevard nga opozita, ku ka përjashtuar mundësinë e një ndërmjetësimi me kryetarin e PD, Basha.

“Nuk negocioj me opozitën. Sa herë kam ardhur këtu kam biseduar me zotin Basha. Por nuk ka negociata”, ka thënë Fleckenstein.

Ndërsa është shprehur me ironi se, “tenda (e protestës) duket këndshëm, eurodeputeti ka shtuar se, “anëtarët e Parlamentit janë zgjedhur për të bërë punën e tyre në Parlament”. Më vonë gjatë ditës eurodeputeti do të takohet edhe me kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Meta.