Aktuale

Flet nëna e Dafina Zhubit: Parja mbylli rastin e vajzës time, u manipulua gjithçka

Nëna e Dafina Zhubit, Ganimetja ka hedhur dyshime se Prokuroria Themelore dhe mjekët që hartuan një ekspertizë se vajza e saj është vetëvrarë kanë marrë para. Thotë se rasti i vajës së saj nuk do të mbyllet. Kërkon ballafaqim në gjykatë me ish të dashurin e vajzës A.I, ne banesën e të cilit u gjet e vdekur Dafina Zhubi.

Në prill të vitit 2017, një Institut Zviceran, kishte konstatuar se Dafina Zhubi nuk kishte kryer vetëvrasje. Instituti i quajtur “Forensicons” e drejtuar prej prof. dr. Ulrich Zolinger ka nxjerrë një raport prej gjashtë faqesh të bazuar në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me anë të së cilit përjashton çdo mundësi që 35-vjeçarja ta ketë qëlluar veten me armë në kokë. Raportin e kishte siguruar Insajderi.

Mes fakteve të shumta se Dafina Zhubi është vrarë argumenton se në duart e të ndjerës nuk janë gjetur grimca baruti e as pika gjaku që shkaktohen në secilin rast vetëvrasjeje.

Ndërkohë, Koha Ditore ka raportuar ka disa ditë që Prokuroria e Shtetit e ka pranuar raportin nga forenzika në Zvicër në lidhje me vdekjen e Dafina Zhubit, vajzën me nënshtetësi zvicerane, e cila dy vjet me parë u gjet e vdekur në një banesë në Prishtinë.Ekspertiza konstaton se Dafina Zhubi është vetëvrarë.

Kjo ekspertizë është bërë nga një institucion mjeko-ligjor në Zvicër dhe është iniciuar nëpërmjet rrugëve institucionale, shkruan Koha Ditore.

Ekspertiza dëshmon vetëvrasjen e Zhubit.

Por, me këtë konstatim s’po pajtohet nëna e Dafina Zhubit, Ganimetja.

Në një bisedë për Express, Ganimete Zhubi ka thënë se vajza e saj është vrarë ose i dashuri i saj e kishte shtyrë në vetëvrasje.

Për këtë arsye, ajo thotë se do të ndjekë rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë konstatim. Hedh akuza në drejtim të Prokurorisë se dikush është korruptuar për të mbyllura rastin e vdekjes së vajzë së saj.

Nëna e Dafina Zhubit thotë se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi derisa të ballafaqohet me ish-të dashurin e vajës A.D. në banesën e këtij të fundit ishte gjetur e vdekur Dafina, më 16 shkurt të vitit 2016, në Prishtinë.

Insajderi pati raportuar se i dyshuari A.D u liruar nga paraburgimi muaj më parë pasi prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj erdhi në përfundim se e ndjera ka kryer vetëvrasje e jo vrasje. Këtë konstatim ajo e nxori me direktiva të shefit të saj, Imer Beka. I dyshuari pastaj kishte lëshuar Kosovën.,

Sidoqoftë, Ganimete Zhubi thotë se udhëheqësit e Prokurorisë Themelore në Prishtinë manipuluan vrasjen e vajzës.

Ajo ka thënë se babai i Dafinës do t’i dërgojë dokumentet e vajzës së saj në Cyrih për të vazhduar edhe më tutje zbardhjen këtë rast.

“Dyshoj, paraja shumë e madhe është dhënë për të mbyllur këtë rasti”, thotë Ganimetja.

“Sipas meje, prej I.B e deri te mjekët që e kanë bërë raportin, dyshoj se kanë marrë ryshfet”, ka shtuar ajo.

Ganimetja ka thënë se dëshiron të takohen në gjyq me djalin i cili ishte fillimisht i dyshuar si vrasës. Thotë se edhe nëse Dafina është vetëvrarë, atëherë, deri te një veprim i tillë ka qenë e shtyrë nga i dashuri i saj.

“Unë du mu ballafaqu me A.i gjithqysh që nëse e ka shty me bo vetëvrasje. Pa gjyq nuk dua të kryhet kjo punë”, ka thënë Ganimetja, të dielën për Express.

Prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj, kishte lëshuar një njoftim, para disa ditësh, me të cilin konfirmonte se Dafina Zhubi kishte kryer vetëvrasje, bazuar në të dhënat e superekspertizës.

“Njoftojmë opinionin publik se për rastin e vetëvrasjes së Dafina Zhubi është kthyer super-ekspertiza e dërguar në Institutin mjeko-ligjorë në Zvicër dhe është konstatuar dhe ri-konfirmuar se rasti ishte vetëvrasje. Me këtë janë vërtetuar ekspertizat e parë dhe konstatimet e prokurorisë në këtë rast të cilësuar si Vetëvrasje”, thuhet në deklaratën e Prokurores së rastit, Fitore Sadikaj, e cila kishte lëshuar një njoftim para disa ditësh.

“Shprehi shqetësimin dhe reagimin tim personal si prokurore e rastit dhe të Prokurorisë së Shtetit për gjykimet dhe vlerësimet publike abuzive të bëra nga individ dhe media të ndryshme lidhur me këtë rast duke e cilësuar si vrasje, pa u mbështetur në argumente ligjore dhe profesionale-mjekësore. Konsideroj së kjo ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë profesionale të Prokurorisë dhe punën time, si dhe ndikim i drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Jemi etiketuar unë dhe familja si dhe prokuroria në mënyrat më abuzive në opinionin publik. Përmes, kësaj shkrese kërkoj publikisht që të ndalen presionet, shantazhet dhe fyerjet ndaj prokuroreve të shtetit dhe të ruhet pavarësia e sistemit të drejtësisë. Ndaj, personave, mediave që kanë bërë presione të ndryshme, shantazhe, fyerje dhe shpifje publike, do ti përdorim të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar përgjegjësi ligjore ndaj kryerësve të këtyre veprimeve, kompensimin e dëmit personal si dhe ruajtjen e pavarësisë së prokurorit të shtetit”, thuhet më tej në reagimin e Fitore Sadikaj, Prokurorja e rastit

the authorE B