Rajon & Botë

Francë, debat televiziv mes 5 kandidatëve kryesorë

Pesë kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale të Francës do të mbajnë sot debatin e parë midis tyre, me kandidatin e qendrës Emmanuel Macron, si dhe udhëheqësen e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, që udhëheqin sondazhet, ndërsa mes shqetësimeve kryesore të votuesve janë punësimi dhe siguria
Debati televiziv i pasdites vjen në një kohë kur Franca është tronditur sërish nga një sulm i fundjavës së kaluar në Aeroportin “Orly” të Parisit, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje sfidat e sigurisë me të cilat pritet të përballet presidenti i ri i vendit.
Lista prej 11 kandidatësh për presidencialet franceze u zyrtarizua të shtunën. Raundi i parë zgjedhor do të zhvillohet më 23 prill, ndërsa dy kandidatët më të votuar nga votat e popullit do të sfidojnë njëri-tjetrin në balotazhin e 7 majit. Macron dhe Le Pen do të kenë në debatin e sotëm edhe konservatorin François Fillon, socialistin Benoit Hamon, si dhe udhëheqësin e ekstremit të majtë, Jean-Luc Melenchon. Këta të pestë priten të marrin edhe votat më të shumta në raundin e parë zgjedhor për pasuesin e François Hollande në krye të Elizesë.